Ndëshkimi i Granit Xhakës me karton të verdhë në fitoren e Arsenalit në Premier League kundër Leedsit në sezonin e kaluar, po hetohet nga Agjencia Kombëtare e Krimit, për një skandal të madh basti, ka shkruar mediumi britanik “Daily Mail” të premten në mbrëmje.
Federata e Futbollit e Anglisë ka bërë një hetim gjashtëmujor dhe e ka bartur çështjen tek agjencia kryesore për krime të organizuara në një zhvillim që tregon shqetësime serioze për korrupsion dhe kriminalitet të mundshëm.
Federata e Futbollit e Anglisë ka nisur hetimet pasi u alarmua për kartonin e verdhë, që dyshohet se lidhet me bastvënie.
Kartonin e verdhë, Xhaka e mori në fund të ndeshjes në fitoren 4:1 të Arsenalit më 18 dhjetor në “Elland Road”.
Në të kaluarën, as Xhaka dhe asnjë futbollist i Arsenalit nuk është dënuar për një gjë të tillë.
Edhe
Po hetohet një bast i dyshimtë që ishte vënë për një karton të verdhë të Xhakës
Situata u bë alarmante pasi rreth 52 mijë funte ishin vënë në bast, që Xhaka të ndëshkohej në 10-të minutat e fundit, pavarësisht se Arsenali ishte duke fituar 4:1.
Reprezentuesi i Zvicrës ishte ndëshkuar nga gjyqtari Andre Marriner për humbje të kohës në minutën e 86-të, pasi ai vonoi ta ekzekutonte një goditje dënimi.
Video incizimi i këtij rasti tregon se si Xhaka qëndron afër topit në pjesën e fushës së ekipit të tij përreth 20 sekonda, dhe më pas gjyqtari i tregon kartonin e verdhë.
Basti i dyshimtë kishte ndodhur në një faqe në internet, dhe u raportua se bastvënësi kishte fituar rreth 250 mijë funte.
Federata e Futbollit e Anglisë nuk ka hapur hetime në rastin e Xhakës, por vetëm ia ka kaluar informatat e mbledhura Agjencisë Kombëtare të Krimit.
29-vjeçari nuk ka disiplinë të mirë në këtë aspekt me skuadrën e Arsenalit. Është ndëshkuar 10 herë dhe u përjashtua nga loja dy herë në sezonin që shkoi.
Rastet e konfirmuara për kurdisje në Angli janë të rralla, edhe pse mbrojtësi i Lincoln Cityt, Bradley Wood, u dënua për gjashtë vjet në vitin 2018, pasi u shpall fajtor për marrjen e dy kartonëve të verdhë gjatë rrugëtimit deri në çerekfinale të Kupës FA në sezonin paraprak.
Edhe
Xhaka lirohet nga akuzat e bastit me karton të verdhë
Mesazhet treguan se Wood e kishte planifikuar këtë skenar me shtatë shokë të tjerë. Ata fituan 10 mijë funte me dy bastvënie të ndryshme, por kjo shifër është dukshëm më e vogël sesa ajo e ndeshjes së Arsenalit, shkruan mediumi britanik.
Federata e Futbollit të Anglisë ka refuzuar të japë ndonjë koment për këtë rast.