Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Xavi u thotë lojtarëve të Barçës t’i bëjnë krenarë tifozët

Për mesfushorin e kthyer në trajner, Xavi Hernandez, veprimi për ta rikthyer Barcelonën në rrugën e fitores nuk është transferimi i lojtarëve më të mirë apo ndryshimet taktike që ai me siguri do t’i bëjë. Çelësi për Xavin janë vlerat e shkollës së vjetër, me të cilat ai u rrit si i ri në akademinë “La Masia”.

“Unë do të vendos jetën time në këtë punë që kjo të funksionojë”, tha Xavi të premten, një ditë para debutimit të tij si trajner i Barcelonës në derbin kundër Espanyolit në stadiumin “Camp Nou”. “Unë do t'u transmetoj lojtarëve të mi se ne jemi Barça dhe kjo do të thotë se duhet të japim më shumë se 100 për qind çdo minutë, çdo sekondë në mënyrë që kjo të funksionojë. Ne u detyrohemi shumë njerëzve dhe nuk mund t'i zhgënjejmë, të paktën jo në vlerat tona për të treguar qëndrimin e duhur, për të bërë përpjekje dhe për të pranuar sakrificën. Më vonë, rezultatet do të varen nga kundërshtarët tanë dhe aspektet e lojës, por ne duhet t'i bëjmë tifozët tanë krenarë, edhe kur dështojmë të fitojmë”.

41-vjeçari Xavi u angazhua si trajner te Barcelona dy javë më parë për të zëvendësuar Ronald Koemanin e shkarkuar për rezultate të dobëta. Xavi ka trashëguar një ekip që po përpiqet të përshtatet me lojën pas largimit të Lionel Messit, që iu bashkua Paris Saint-Germainit dhe është në vendin e nëntë në ligën spanjolle. Si lojtar, Xavi, maestro i mesfushës, tha se ishte taktika në fushë që i ndihmoi skuadrat e drejtuara nga Frank Rijkaardi, Pep Guardiola dhe Luis Enrique të fitonin katër herë trofeun e Ligës së Kampionëve. Tani, ai tha se është “më pak nervoz” si trajner, sesa si lojtar.

Por Xavi tha se ai ka nevojë që secili prej lojtarëve të tij të jetë gati për të kontribuuar, veçanërisht duke pasur parasysh valën e lëndimeve dhe problemeve shëndetësore, që kanë i lënë jashtë fushës sulmuesit: Ansu Fati, Ousmane Dembele, Sergio Aguero dhe Martin Braithwaite. Ndërsa Xavi vlerësoi talentin e lojtarëve të tij, duke përfshirë mesfushorin 17-vjeçar, Gavi Paez, ai tha se gjithashtu shpreson që Philippe Coutinho të kthehet në lojtarin që ishte në Angli, përpara se t'i bashkohej Barcelonës. Barcelona vendosi një rekord klubi për transferimin e Coutinhos në vitin 2018, kur i pagoi Liverpoolit hiq më pak se 160 milionë euro dëmshpërblim. Por Coutinho nuk i përmbushi kurrë pritjet dhe e kaloi sezonin 2019/20 i huazuar te Bayern Munichu. Ai u rikthye sezonin e kaluar, por e lëndoi gjurin në dhjetor dhe ishte jashtë fushës deri në fillim të këtij sezoni. Tani, në moshën 29-vjeçare, mediat vendase kanë spekuluar se klubi dëshiron ta shesë atë. Xavi, megjithatë, tha se do t'i japë një shans brazilianit për ta dëshmuar veten.

“Coutinho duhet të rikuperojë besimin e tij”, tha Xavi. “Unë kam folur me të dhe ai mund të jetë i rëndësishëm për këtë klub. Kjo varet nga ai. Bëhet fjalë për mendjen dhe emocionet e tij, jo për talentin e tij. Ai do të ketë mundësitë e tij sepse është një lojtar që më pëlqen personalisht”.

Pas Espanyolit, ndeshje që nis në orën 21:00, Barcelona do të përballet me një ndeshje të rëndësishme të Ligës së Kampionëve kundër Benficas, të martën.