Sport

Xavi: Rashfordi, një prej lojtarëve më të rrezikshëm

Trajneri i Barcelonës, Xavi Hernandez, e ka përgëzuar transformimin e Manchester Unitedit nga trajneri Erik ten Hag, i cili, sipas teknikut spanjoll, e ka kthyer Marcus Rashfordin në një prej lojtarëve më të rrezikshëm në Evropë.

Barcelona e pret Manchester Unitedin të enjten në ndeshjen e parë të fazës nokaut të plejofit në Ligën e Evropës.

“Ten Hag është trajner i madh. Besoj se ai e ka ndryshuar situatën tek Unitedi, gjë që nuk ka qenë aspak e lehtë dhe ai ia ka arritur një gjëje të tillë”, ka thënë Xavi fillimisht për trajnerin holandez.

Nën drejtimin e Ten Hagut ka shkëlqyer veçanërisht Rashford.

Rashfordi ka realizuar 13 gola në 15 ndeshje që nga përfundimi i Kupës së Botës.

“Në transicion, ai është shumë, shumë i rrezikshëm. Duhet të kemi kujdes nga të gjithë, por veçanërisht nga Rashfordi. Ai është një prej lojtarëve më të rrezikshëm në Evropë për momentin”, është shprehur Xavi.

Barcelona do të jetë pa Sergio Busquetsin dhe Ousmane Dembelen në ndeshjen e të enjtes dhe do të ketë test të vështirë ndaj Unitedit.

Barça kryeson në La Liga me 11 pikë më shumë sesa Real Madridi dhe i ka fituar tetë ndeshjet e fundit në të gjitha garat.