E ardhmja e trajnerit Xavi Hernandez në krye të Barcelonës është në dyshim, sidomos pas humbjes 4:2 nga Girona vikendin e shkuar në kuadër të La Ligas.
Mediumet spanjolle kanë raportuar se kjo disfatë ka ndikuar që drejtuesit e klubit gjatë kësaj jave do të mbajnë një mbledhje urgjente për çështjen e trajnerit.
Mësohet se si drejtuesit e klubit ashtu edhe tifozët e Barcelonës nuk janë të kënaqur me lojën që po e tregon ekipi nën drejtimin e Xavit por edhe rezultatet e këtij edicioni. Madje, thuhet se te Barça tashmë kanë përpiluar një listë prej katër trajnerëve, të cilët pritet ta zëvendësojnë Xavin në rast se shkarkohet.
Në mesin e këtyre emrave janë Rafael Marquez, Michel Sanchez, Imanol Alguacil dhe Thiago Motta. Xavi mori drejtimin e Barcelonës në nëntor të vitit 2021 dhe ka kontratë me klubin spanjoll deri në verën e vitit 2025. Aktualisht, Barcelona është e katërta na La Liga me 34 pikë të mbledhura pas 16 javëve të zhvilluara. Girona prin në tabelë me 41 pikë, e përcjellë nga Real Madridi me 39 sosh.