Xavi Hernandez, lojtari që personifikoi stilin sulmues të popullarizuar nga Barcelona dhe Përfaqësuesja e Spanjës, po kthehet në “Camp Nou” si trajner. Klubi aktual i Xavit, Al-Sadd, nga Katari, konfirmoi se ish-mesfushori spanjoll do të lirohet, pasi Barcelona do ta paguajë klauzolën për t’ia shkëputur kontratën që i skadon në fund të vitit 2023. Barcelona nuk njoftoi ende për klauzolën e lirimit të Xavit, që sipas mediave në Spanjë ishte pesë milionë euro.
“Xavi na informoi disa ditë më parë për dëshirën e tij që të shkojë te Barcelona në këtë moment të veçantë, për shkak të krizës që po e kalon ekipi i tij. Ne e kuptuam këtë dhe vendosëm të mos e pengojmë”, shkruante ndër të tjera në njoftimin e ekipit nga Katari, në “Twitter”.
Te Barcelona, Xavi do ta zëvendësojë Ronald Koemanin, që u shkarkua ditë më parë për shkak të rezultateve të dobëta. Prejse është larguar Koemani, në krye te Barçës përkohësisht ka qëndruar Sergi Barjuan. Në dy ndeshje nën Barjuanin, Barcelona ka shënuar një fitore dhe një barazim. Barjuan do ta udhëheqë Barcelonën edhe në ndeshjen e së shtunës kundër Celta Vigos dhe në momentin që zyrtarizohet Xavi, ai do të kthehet në postin e trajnerit të ekipit të dytë.
“Barcelona ende asgjë nuk ka bërë zyrtare, por ne të gjithë po shpresojmë se kjo mund të funksionojë. Nëse Xavi vjen, do të jem i lumtur ta ndihmoj në çdo mënyrë që mundem”, ka thënë Barjuan në konferencën për shtyp para duelit me Celtan.
Edhe pse Barcelona nuk ka bërë asgjë zyrtare, Al-Saddi e ka publikuar një video të Xavit duke u përshëndetur me futbollistët dhe stafin e tij. Xavi po largohet me kokën lart nga Al-Saddi, pasi ekipi është lider në tabelë pas nëntë ndeshjeve të zhvilluara.
Edhe
Xavi kompleton rikthimin te Barcelona
41-vjeçari u largua nga Barcelona në vitin 2015, pasi ndihmoi klubin të fitonte 25 trofe, përfshirë katër në Ligën e Kampionëve dhe tetë të tjerë në La Liga në 17 sezone. Ai ishte gjithashtu kyç në serinë e titujve të Spanjës, kur fitoi Kupën e Botës në vitin 2010 dhe Kampionatin Evropian në vitin 2008 dhe 2012.
Xavi ka qenë në Al-Sadd që kur u largua nga Barcelona, fillimisht si lojtar dhe më pas si trajner. Vizioni, pasimet dhe aftësia e Xavit për të mbajtur topin nën presion, e bënë atë të rëndësishëm për të udhëhequr Barcelonën dhe Spanjën në epokat e tyre më të suksesshme.
Te Barcelona tani po shpresojnë se Xavi si trajner mund të ringjallë stilin sulmues që e kishte ekipi dikur, të bazuar në posedimin e topit dhe pasime të shpeshta. Xavi nuk ka përvojë si trajner në një ligë të madhe dhe do të përballet me të njëjtën sfidë të frikshme që çoi në rënien e Koemanit - Barcelona nuk është më Barcelona që Xavi e la si lojtar. Kriza financiare që e ka kapluar klubin ka bërë që të mbetet pa lojtarin kryesor Lionel Messin që iu bashkua Paris Saint-Germainit. Te Barça nuk janë as Antoine Griezmanni e Luis Suarez.
Në fakt Barcelona ka borxhe të raportuara prej 1.35 miliard eurosh. Xavi do të trashëgojë një ekip që po lufton për pjesën e epërme në La Liga dhe ende nuk ka të garantuar kalimin e fazës së grupeve në Ligën e Kampionëve. Aktualisht, Barcelona zë vendin e nëntë në kampionat me 16 pikë pas 11 ndeshjeve të luajtura. Do të shihet gjithashtu nëse marrëdhënia personale e Xavit me veteranët si Sergio Busquets, Gerard Pique dhe Jordi Alba, të gjithë ish-shokë të tij, do ta ndihmojë ose do ta dëmtojë atë, ndërsa ai vazhdon rindërtimin e nevojshëm të nisur nga Koemani.
Në të vërtetë, Xavi mund të përfitojë nga puna e nisur nga Koemani, i cili solli disa lojtarë të rinj në formacionin bazë. Mbi të gjitha, Pedri Gonzalez, i cili gjithashtu ka pasur një vit të shkëlqyer me Spanjën, dhe Gavi Paez duken të përsosur për t'iu përshtatur stilit të lojës së Xavit. Si një yll i mundshëm i Barcelonës është shfaqur edhe sulmuesi Ansu Fati.
Edhe
Pesë gjërat me të cilat duhet të merret trajneri i ri i Barcelonës
Xavi hodhi poshtë mundësinë për të qenë trajner i Barcelonës në janar të vitit të shkuar kur paraardhësi i presidentit aktual, Joan Laporta, e shkarkoi Ernesto Valverden në mes të edicionit.
“Jam shumë i emocionuar që do të shkoj në shtëpi”, tha Xavi pas asaj që dukej të ishte ndeshja e tij e fundit në krye të Al-Saddit, të mërkurën. “Edhe më shumë i emocionuar të jem trajner i Barcelonës, post që ka shumë përgjegjësi, por unë jam shumë i emocionuar dhe i motivuar”.