Pronarët nga Hollyvoodi të klubit Wrexham janë ende duke mësuar gjuhën popullore të futbollit britanik. Megjithatë, ata nuk kanë nevojë për udhëzime për të vendosur skenën për ndeshjen e Kupës FA të këtij vikendi kundër Sheffield Unitedit të kategorisë së dytë angleze.
Rob McElhenney, i cili me aktorin Ryan Reynolds është bashkëpronar i klubit të nivelit të pestë anglez, bëri shaka duke thënë se ka vizituar Sheffieldin dhe se i pëlqejnë njerëzit atje, por “ata sigurisht janë armiku tani dhe rrugëtimi i tyre në Kupën FA do të ndalet nga Wrexhami”.
Wrexhami është skuadra me renditjen më të ulët e mbetur në garën më të vjetër të futbollit me sistem eliminimi në botë. Është 71 vende më poshtë se kundërshtari në piramidën e futbollit anglez.
Ekipet luajnë të dielën në stadiumin “Racecours” të Wrexhamit, në verilindje të Uellsit, rreth 28 kilometra në jug të Liverpoolit. Të gjitha biletat për këtë duel ka kohë që janë shitur dhe te Wrexhami po synojnë të avancojnë në raundin tjetër të Kupës FA.
McElhenney thotë se ai ende po mësohet me thëniet e futbollit britanik si “koha e zhurmshme” - e bërë e famshme nga ish-trajneri i Manchester Unitedit, Alex Ferguson që përshkruan momentet e tensionuara e të vona të një loje.
McElhenney tha se kjo thënie është “e preferuara absolute” e tij deri më tani. Pronarët e famshëm, të cilët përfunduan blerjen prej 2.5 milionë dollarësh të ekipit në nëntor 2020, mund të mësojnë disa fraza tjera nëse Wrexhami mund të bëjë një tjetër shqetësim të madh në Kupën FA.
Wrexhami mundi Coventry Cityn e nivelit të dytë, 4:3, për të arritur në raundin e katërt të garës, për herë të parë që nga viti 2000. Reynolds, aktori kanadez i njohur më së shumti për rolin në filmat “Deadpool”, tha se fitorja ndaj Coventryt e la atë “krejtësisht pa fjalë”, pasi skuadra krijoi epërsi 4:1 dhe u mbajt deri në fund.
“Ne kemi një traditë të madhe në Kupën FA”, tha Chris Jones, një anëtar i grupit të tifozëve të Wrexhamit. “Është një atmosferë e mrekullueshme në fushë. Turma është gjithmonë shumë e zhurmshme. Kur luajmë ato ndeshje të mëdha kemi një avantazh të vërtetë.”
Wrexhami bëri një nga tronditjet më të mëdha të Kupës FA duke mposhtur kampionin e atëhershëm të Anglisë, Arsenalin, në raundin e tretë në vitin 1992. Wrexhami gjithashtu arriti në çerekfinale të Kupës FA në sezonin 1996/97, kur ishte në nivelin e tretë. Klubi kryeson renditjen e Ligës Kombëtare dhe është në rrugë për t'u ngjitur në Ligën e Dytë - niveli i katërt i futbollit anglez.
“Është një kthesë e madhe”, tha Jones, i cili ua jep meritat pronarëve Reynolds dhe McElhenney. “Ata me të vërtetë po bëjnë gjithçka që kanë premtuar të bëjnë. Ata janë shumë të etur për të dëgjuar fansat”.
Wrexhami, klubi i tretë profesionist më i vjetër në botë, ka shembur një pjesë të tribunës dhe do ta zëvendësojë atë me tribunë të re me kapacitet të rritur të ulëseve. Por shpresat e klubit – përmes projektit “Wrexham Gateway”– për mbështetjen e qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar për ndërtimin e një tribune të re u goditen javën e kaluar kur një grant i propozuar u refuzua.
Humphrey Ker, aktori britanik që është drejtor ekzekutiv i Wrexhamit, tha se lajmi “u prit me zhgënjim”, por shtoi se klubi ka “planin B”.
“Tribuna do të ngrihet sërish, thjesht do të duhet ta bëjmë këtë nëpërmjet një metode të ndryshme nga ajo për të cilën kishim planifikuar kaq gjatë. Të jeni të bindur se shumë shpejt do të njoftoheni më shumë për planin B që e kemi”, tha ai në një deklaratë në faqen e klubit.