Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Wolvesi do ta huazojë Shabanin në janar

Mesfushori kosovar Meritan Shabani do të huazohet në janar nga Wolverhamptoni në një ekip tjetër për të fituar përvojë dhe hapësirë.

Kështu ka insistuar trajneri i ekipit U23 të Wolvesit, James Collins, në një intervistë të mërkurën për uebfaqen zyrtare të klubit.

Shabani 21-vjeçar këtë edicion ka luajtur vetëm me ekipin e dytë të Wolverhamptonit derisa me ekipin e parë ka qenë i grumbulluar vetëm njëherë, por që nuk është aktivizuar në duelin kundër West Hamit në kuadër të Premier Leagues.

Ai këtë edicion ka tri gola dhe po aq asistime në 13 ndeshje për ekipin U23 të Wolvesit.

“Kemi lojtarë të mirë në ekip si Meritan Shabani, i cili po duket gati për të luajtur mbi këtë nivel. Ai është një futbollist fantastik, i cili ka nevojë për sfidë. Kështu që, mendoj se Shabani është i gatshëm për t’u huazuar”, është shprehur Collins.

Shabani iu bashkua ekipit anglez nga ekipi i dytë i Bayernit në verën e vitit 2018 dhe me Wolverhamptonin ka kontratë deri në vitin 2022.