Ylli i Chelseat, Willian, ka bërë të ditur se ishte gati të kalonte te Manchester Unitedi, për t’u bashkuar me ish-trajnerin, Jose Mourinho.
Braziliani pati vështirësi nën Antonio Conten, një vit pasi ishte shpallur lojtari më i mirë i Chelseat në sezonin e fundit të Mourinhos si menaxher i “Bluve” të Londrës.
Pedro dhe Eden Hazard ishin të preferuarit e Contes për partnerë të Diego Costas, me Willianin që shpesh inkuadrohej nga banka rezervë.
Derisa pranoi se ishte në bisedime me Unitedin, Willian ka konfirmuar se tani është shumë i kënaqur me jetën në perëndim të Londrës.
“Pata bisedime me agjentin tim. Punova me Mourinhon dhe isha shok i tij”, ka thënë Willian për Goal.com.
“I pëlqej atij dhe ai më pëlqen mua si trajner dhe si person. Ai besoi në punën time dhe i jam mirënjohës”, ka shtuar braziliani.
“Manchesteri erdhi tek unë, biseduan me agjentin tim, por nuk ndodhi asgjë sepse Chelsea nuk deshi të bisedonte dhe jam i lumtur këtu”, ka thënë veç të tjerash mesfushori 29-vjeçar.