Të nokautohesh nga rivali më i urryer është një dhimbje e madhe. Madje edhe për një boksier të palëkundur si pretenduesi për titull të botës në kategorinë e rënë, Dillian Whyte.
Kur Anthony Joshua e ndali Whyten në raundin e shtatë të meçit të tyre të kontestuar në vitin 2015, rezultati mund ta kishte çuar boksierin e atëhershëm perspektiv në një rrugë tjetër. Sigurisht jo drejt të qenit kundërshtari i Tyson Furyt në meçin që do të mbahet të shtunën mbrëma në stadiumin “Wembley” në Londër. Whyte sfidon Furyn në meçin për titull të kampionit të botës në kategorinë e rëndë, në versionin WBC (World Boxing Council).
“Ju mendoni për luftën me Anthony Joshuan. Ai ishte realisht i mposhtur në atë luftë. Mbeti i varur mbi litarin e poshtëm. Nuk do ta mendonit kurrë se ai njeri do të kthehej për të bërë atë që e bëri”, tha Dave Coldwell.
Coldwell, i njohur më së miri si trajneri që e stërviti Tony Bellewin për të fituar titullin e botës, e ka trajnuar Whyten në të kaluarën.
Whyte tani është një personazh i boksit, një atraksion i kategorisë së rëndë në një skenë në Mbretërinë e Bashkuar ku yjtë e vërtetë janë gjë e rrallë. Ai e ka rikthyer veten nga dy humbje të mëdha në karrierë, me Joshuan dhe më pas me rusin Alexander Povetkin, dhe është përmirësuar vazhdimisht me çdo paraqitje në ring. Ai tani e sfidon Furyn për titullin e botës.
“Dillian është një boksier i rikthimit”, thotë Coldwell. “Ai e shikon humbjen si pjesë të një procesi. Për sa kohë që ju jeni ende ambicioz, atëherë rezultatet do të vijnë. Kështu Dillian është përmirësuar dhe është bërë një luftëtar më i mirë. Shumë luftëtarë modernë e humbasin një luftë dhe humbasin besimin në vetvete”.
Whyte ishte 27-vjeçar dhe kishte bilanc 16-0 në kohën kur humbi nga Joshua. Rivali i tij i hidhur vazhdoi ngjitjen e tij të jashtëzakonshme për t'u bërë dy herë kampion bote, ndërsa Whyte kishte për detyrë të fillonte nga e para.
Dhe filloi përsëri, kryesisht së bashku me trajnerin Mark Tibbs që e pati për një kohë të gjatë. Tibbs e udhëhoqi Whyten në 11 fitore rresht, pas humbjes nga Joshua, përpara se të lidhej me trajnerët Xavier Miller dhe Harold Knight.
“Dillian e fshiu veten pas humbjes nga Joshua, vazhdoi punën dhe kërkoi mënyra për t'u përmirësuar", thotë Coldwell. “Ai e ka ndjekur pozicionin e sfiduesit të detyrueshëm në WBC dhe ndërsa ka qenë sfidues për vite, ai ka marrë disa luftëra të shkëlqyera që ia kanë shtuar përvojën. Ai e kupton lojën më shumë”.
Këto duele përfshinin fitoret ndaj Derek Chisoras, ish-kampionit botëror Joseph Parkerit dhe pretenduesit me përvojë Povetkinit. Vetë Whyte beson se forca e tij më e madhe është se nuk ka frikë nga askush.
“Kam ardhur për t'i lënë të gjitha. Jam mësuar të rrezikoj dhe kjo nuk është asgjë për mua”, thotë Whyte. “Kam pasur shumë duele të ndryshme në vende të ndryshme dhe duele ku kam qenë i dobët. Unë kam kaluar tashmë nëpër këto gjërat dhe kam përvojë tani”.
Të tjerët e kanë marrë parasysh, me trajnerin e Furyt, SugarHill Stewardin, që ka pranuar se Whyte është bërë vazhdimisht një kërcënim i madh në kategorinë e rëndë.
“Unë mendoj se Dillian është rritur shumë. Unë shoh që sulmi i Dillianit është përmirësuar shumë. Unë jam i vetëdijshëm për këtë dhe kam punuar me Tysonin në këtë aspekt”, tha ai. “Ai nuk është një talent i veçantë, por ai është i qëndrueshëm dhe ka shumë fuqi. Gjithmonë duhet të keni kujdes nga Dilliani. Ai mund të befasojë”.
Edhe pse Whyte mund të jetë një kundërshtar i frikshëm, vlerësimi i përgjithshëm duket se e favorizon Furyn. Shanset mund të jenë në favor të Furyt, por Steward thotë se ata janë përgatitur për një kundërshtar të etur për t'u imponuar.
“Unë besoj se është forca e Dillianit dhe struktura e tij që e bëjnë atë të rrezikshëm. Ai është një njeri i fortë. Ai ka një goditje të mirë dhe është shumë i fortë. Ne kemi punuar shumë për të qenë në kontroll të plotë. Ky është plani i lojës tonë. Ne mund të tregojmë më shumë se kush është në të vërtetë Tyson Fury”, shtoi Steward.
Fury është i pamposhtur në 32 meçe. Tre meçet me amerikanin Deontay Wilder panë Furyn të shfaqte pothuajse çdo anë të tij, nga boksieri i shkathët deri te artisti me nokaut. Por Coldwell mendon se megjithëse Fury është i pamposhtur, ai nuk është dukur gjithmonë i pamposhtur.
“Tysoni dukej fantastik në luftën e dytë me Wilderin, por lufta e tretë teknikisht dukej e tmerrshme”, shpjegon ai. “Nëse Dilliani mund ta tërheqë atë në atë lloj lufte, atëherë është një shkëmbim zjarri dhe aty nuk dihet se kush do të fitojë”.
Whyte, i cili ishte në gjendje t'i hakmerrej Povetkinit për humbjen e dytë të karrierës, këmbëngul se Fury nuk është aq i veçantë sa reklamohet.
“Ai është një luftëtar shumë i mirë. Ai është i vetmi i epokës sonë që i ka fituar të gjithë titujt, është një luftëtar i madh, i pamposhtur, por unë nuk e shoh atë siç e shohin të gjithë të tjerët”, thotë Whyte.
Edhe pse Coldwell favorizon Furyn, trajneri britanik thotë se Whyte ka mjetet e duhura për të ndaluar Furyn.
“Dilliani nuk do të shkojë atje për t’u nokautuar nga Tyson Fury. Dilliani është një grushtues i shkëlqyeshëm i trupit, kështu që të gjithë e kanë parasysh këtë. Ai mund t’i vështirësojë gjërat për Tysonin”, shprehet Coldwell.