West Ham Unitedi ka kompletuar transferimin e mesfushorit Edson Alvarez. Meksikani të enjten është prezantuar te West Hami, ekip që i është bashkuar nga Ajaxi për 40 milionë euro.
Alvarez me ekipin e ri, ka firmosur kontratë pesëvjeçare me opsionin e vazhdimit edhe për një vit tjetër.
25-vjeçari luan në rolin e mesfushorit defensiv, por mund të aktivizohet edhe në qendër të mbrojtjes, ndërsa te West Hami shihet si përforcim i duhur për edicionin e ri.
Ai prej vitit 2019 ka qenë pjesë e Ajaxit, ekip me të cilin ka fituar dy tituj kampioni të Holandës.
Edicionin e shkuar Alvarez shënoi 4 gola dhe bëri 3 asistime në 44 paraqitje në të gjitha garat. Ai bëhet transferimi i parë i ekipit anglez në këtë afat kalimtar.