Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Werderi nuk mendon me çdo kusht ta shesë Rashicën këtë verë

Foto: DFB

Shefi-ekzekutiv i Werder Bremenit, Frank Baumann, ka thënë se është e logjikshme që ylli i Kosovës, Milot Rashica, do të bëjë hapin e radhës në karrierë, por nuk është me çdo kusht që të ndodhë kjo këtë verë.

Rashica 23-vjeçar po kërkohet nga shumë klube evropiane. Është raportuar se RB Leipzigu është pranë transferimit të tij.

“Miloti mund ta vazhdojë këtu zhvillimin dhe të bëhet një lojtar shumë i mirë i Bundesligës. Natyrisht se është e qartë se dikur do të vijë hapi tjetër, por nuk është me çdo kusht këtë vit”, ka thënë Frank Baumann për “Sky Germany”.

Baumann ka treguar se qysh para krizës së koronavirusit Werderi ka njoftuar se do të shesë një po dy lojtarë. Por, thotë se nuk është me çdo kusht Rashica në atë mes.

“Ne kemi thënë se një apo dy lojtarë titullar do t'i shesim. Nëse është Miloti apo dy lojtarë tjerë, ende nuk është vendosur”, ka thëjnë Baumann.

Rashica këtë stinor i ka zhvilluar 24 ndeshje në të gjitha garat me Werderin, ai ka realizuar dhjetë gola dhe i ka asistuar pesë tjerë. Kontrata e tij me Werderin skadon në verën e vitit 2022, ndërsa për transferimin e tij po interesohen shumë klube, përfshirë edhe Liverpooli.