Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Werder Bremeni, gjiganti i rënë që po lufton për të mbetur në Bundesligë

Ka kaluar më shumë sezone në Bundesligë se çdo klub tjetër, por tani Werder Bremenit i kanë mbetur vetëm shtatë ndeshje për të shmangur rënien poshtëruese nga elita, rrugë të cilën e kanë ndjekur në vitet e fundit edhe dy gjigandët e tjerë të Gjermanisë, Hamburgu e Stuttgarti, ekipe që tani garojnë në Bundesligën 2.

Ekipi i ngatërruar i trajnerit Florian Kohfeldt është në pozitën e parafundit në tabelë, me pesë pikë larg pozitës së plejautit dhe gjashtë nga zona e sigurisë, ndonëse ka një ndeshje më shumë se rivalet e tjera. Ndeshjen e radhës Werderi e luan të shtunën (sot), në udhëtim kundër Schalkes prej orës 15:30, në kuadër të xhiros së 29-të të Bundesligës.

“Nuk kemi kohë as për pakujdesinë më të vogël. Duhet të reagojmë në mënyrën më të mirë të mundshme, pasi ky është momenti i fundit për ne”, ka pranuar Kofheldt, duke shtuar se dy rezultatet e fundit – fitorja me Freiburgun dhe barazimi me Borussia Moenchengladbachut – i kanë dhënë shpresa, shkruan AFP.

"Ende kemi shtatë 'finale' të mbetura dhe duhet të qëndrojmë të përqendruar. Ky është opsioni i vetëm nëse duam të jemi pjesë e Bundesligës në edicionin e ardhshëm".

Njëra prej shtatë finaleve që i përmend trajneri Kohfeldt është edhe ajo kundër Bayern Muenchenit, ekip që në muajin dhjetor të vitit të shkuar i mposhti me rezultatin bindës 6:1. Ka kaluar shumë kohë prejse Werderi ishte në gjendje të garonte ndaj ekipeve më të mira në Gjermani, por ekipi nga Bremeni ka një të kaluar që mund të krenohet me të, transmeton KOHA.

Kampioni i katërfishtë i Gjermanisë ka qenë çdo sezon në elitë prej prezantimit të Bundesligës në vitin 1962. Ata në vitin 1980 ranë në elita, por u rikthyen menjëherë në vitin tjetër.

Edhe Werderi e Schalke, gati për t’u dëshmuar në Bundesligë Sport Werderi e Schalke, gati për t’u dëshmuar në Bundesligë

Gjithashtu Werder Bremeni nuk është paraqitur në Evropë që nga edicioni 2010/11, kur luajti në Ligën e Kampionëve, kurse nuk ka fituar trofe në futbollin e Gjermanisë prej vitit 2009. Atëbotë ishte mesfushori Mesut Oezil që ngriti trofeun e Kupës pas fitores në finale ndaj Bayer Leverkusenit.

Ky sukses i Bremenit erdhi pak ditë pas ekipi luajti në finalen e Kupës së UEFA-s, që e humbi nga Shakhtar Donetsku. I fundit prej katër titujve të Bundesligës ishte në vitin 2004, vit në të cilin Bremeni e pati fituar edhe Kupën e Gjermanisë.