Lionel Messi do të kërcënonte ruajtjen e ekuilibrit në Paris Saint-Germain nëse ai do të bashkohej me klubin nga Barcelona, sipas Arsene Wengerit.
Gjashtë herë fituesi i Topit të Artë, Messi ka qenë i lidhur me PSG-në dhe Manchester Cityn pasi nuk arriti të konkretizone një largim nga “Camp Nou” verën e kaluar, transmeton kp.
33-vjeçari nuk u lejua të largohej nga klubi në një transferim falas dhe pritet të largohet kur skadon kontrata e tij në fund të sezonit aktual.
Por, me PSG-në që posedon tashmë dyshen Neymar dhe Kylian Mbappe, ish-shefi i Arsenalit dhe Monakos, Wenger e vë në pikëpyetje nëse PSG-ja ka nevojë me të vërtetë për Messin.
“Lionel Messi është një nga dy lojtarët më të mirë në botë. Ata që do të zëvendësojnë Cristiano Ronaldon dhe Messin janë tashmë në PSG”, tha Wenger për “Europe 1”. “Pas kësaj, është një çështje ekuilibri në klub, një bilanc teknik dhe një ekuilibër financiar. A mund ta mbani ekuilibrin në PSG duke sjellë lojtarë si Messi? Unë nuk jam i sigurt”.
Suksesi në Champions League është objektivi kryesor për PSG-në, e cila u mposht në finale në gusht nga Bayern Muncheni.