Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger ka mirëpritur përkrahjen nga Sir Alex Ferguson, por nuk pret që të kalojë 26 vjet në stolin e drejtuesit të klubit londinez, ashtu siç bëri Sir Alexi te Manchester Unitedi.
Ish-menaxheri i Unitedit mbrojti trajnerin francez duke i quajtur “qesharake” kritikat ndaj tij dhe insistoi se qëndrimi i gjatë si menaxher sjell sukses.
Wenger ka mirëpritur këto fjalë të skocezit, por ka konfirmuar se me gjasë nuk do ta arrijë kohën e Alexit në Old Trafford.
“Jo, nuk besoj se do ta arrij në atë aspekt”, ka thënë Wenger, i cili do të mbetet pa kontratë në fund të këtij sezoni.
“Ai pati shumë sukses dhe çfarë bëri për 26 vjet është diçka e jashtëzakonshme sepse kur analizoni se çfarë po ndodhë në lojë, zakonisht mesatarja e qëndrimit të një menaxheri është 18 muaj, pra, totali ynë është i pazakontë”, ka thënë Wenger.
“Mirëpres [fjalët e Sir Alexit] sepse ai di vështirësitë e punës. Ai mund të jetë menaxheri më i mirë që ka punuar në Angli. Patëm rivalitet, por koha i ka mbyllur ato gjëra dhe tani mendoj se kemi respekt”.