Trajneri i Anglisë, Gareth Southgate, do të bëjë ndryshime në formacion për ndeshjen e fundit në grup kundër Uellsit, që zhvillohet të martën prej orës 20:00. “Sky Sports” ka raportuar se në përbërjen e Anglisë do të jenë të paktën dy ndryshime.
Në mesfushë prej fillimit do të startojë Jordan Hendersoni, i cili do ta zëvendësojë Jude Bellinghamin, ndërsa titullar do të jetë edhe Kyle Walker.
Mbrojtësi i krahut është rikuperuar plotësisht nga lëndimi që e mbajti jashtë fushës në dy ndeshjet e para dhe ndaj Uellsit, do ta ketë paraqitjen e parë në Kupën e Botës. Po ashtu, nuk përjashtohet mundësia që prej fillimit të aktivizohet edhe Phil Foden, i cili në dy ndeshjet e para ishte në stol. Anglia i prin Grupit B me katër pikë dhe me fitore eventuale ndaj Uellsit do të kualifikohej si e para e grupit në 1/8 e finales.