Sport

Vojvoda: Të bashkuar mund t’u bëjmë ballë Suedisë dhe Spanjës

Mërgim Vojvoda është parë goxha i disponuar në stërvitjen e së martës në Qendrën Nacionale të Federatës së Futbollit të Kosovës në Hajvali.

Mbrojtësi i krahut të djathtë thotë se i njëjti disponim është edhe te futbollistët e tjerë të Kosovës në prag të ciklit të ri kualifikues, atij për Kamponatin Botëror “Katari 2022”. Ai thotë se vetëm të bashkuar mund t’u bëjnë ballë dy Përfaqësueseve të mëdha të Evropës, Suedisë dhe Spanjës.

Futbollisti më i mirë i Kosovës për vitin 2020 është i lumtur që pas një kohe të gjatë po i sheh shokët në ekipin përfaqësues.

“Jemi të motivuar dhe me shumë pozitivitet për këto ndeshje të reja që na presin. Jemi shumë të lumtur që pas një kohe të gjatë po grumbullohemi sërish dhe është një frymë pozitive në kamp. Jemi të gjithë së bashku për ta ndihmuar njëri-tjetrin për një sukses”, ka thënë Vojvoda të martën për KOHËN.

Vojvoda është pjesë e Torinos që garon në Serie A të Italisë. 26-vjeçari tregoi paraqitje stabile në fillim të këtij edicioni, por më pas pësoi lëndim, ndërsa pati telashe edhe me koronavirusin. Por, ai thotë se i ka tejkaluar të gjitha sfidat dhe është i fokusuar maksimalisht në suksesin e Kosovës dhe Torinos. Për Torinon këtë edicion në të gjitha garat ka kontribuar me dy asistime në 21 paraqitje.

Formë të mirë në krahun e djathtë të mbrojtjes ka shfaqur te Kasimpasha në Turqi edhe Florent Hadërgjonaj. Në fakt futbollistët e fazës së mbrojtjes kanë pasur më së shumti paraqitje te klubet e tyre, për dallim prej atyre të mesfushës dhe sulmit. Por, Vojvoda thotë se te Kosova të gjithë gjejnë motivin dhe forcën për t’u paraqitur mirë për 90 minuta.

Ai thotë se Kosova ka lojtarë kualitativë për t’u bërë ballë sulmeve të Suedisë, në krye me yllin e Milanit, Zlatan Ibrahimobviq, si dhe atyre të Spanjës që luajnë në skuadra të mëdha evropiane.

Ndaj Suedisë, “Dardanët” do të luajnë të dielën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ku Kosova të mërkurën do ta luajë miqësoren kundër Lituanisë. Ndërsa më 31 mars përfaqësuesja luan në Sevilla kundër Spanjës.

“Ne dëshirojmë ta luajmë lojën tonë si ekip i Kosovës me kualitetet tona dhe të përqendruar maksimalisht. Nuk ka rëndësi a është apo jo Ibrahimoviqi te Suedia. Ne pavarësisht a luan Ibrahimoviqi a jo kemi synimet tona. E nëse luan e dimë se çfarë lojtari është dhe fokusi duhet të jetë për 90 minuta”, është shprehur Vojvoda.

Në Grupin B kualifikues për Botërorin e vitit të ardhshëm, Kosova është edhe me Gjeorgjinë dhe Greqinë. Me këtë të fundit është përballur në kuadër të edicionit të dytë të Ligës së Kombeve. Një ndeshje e humbi dhe një tjetër barazoi.

Kosovës i ka munguar shkëlqimi në ndeshjet e vitit të kaluar, ku edhe është përballur me shumë telashe shkaku i situatës me pandeminë. Vojvoda është i gëzuar që në këtë grumbullin nuk kanë pasur telashe, ndërsa thotë se synimet janë të mëdha.

“Synimet i kemi të mëdha, ashtu si i kemi pasur kundër Çekisë dhe Anglisë. Do të mundohemi ta japim më të mirën në të gjitha ndeshjet. Do ta shohim se ku jemi dhe në çfarë niveli, në ndeshjen kundër Lituanisë. Do të jetë po ashtu një ndeshje e rëndësishme për ne pasi do ta shohim formën tonë. Unë besoj se kemi gjasat tona, por të shohim sepse në futboll asgjë nuk i dihet. Na kanë munguar dhe do të na mungojnë tifozët tanë ‘Dardanët’. Por, ne shpresojmë që sa më shumë t’i gëzojmë me rezultate ata dhe gjithë popullin e Kosovës”, ka thënë Vojvoda.