Mbrojtësi i krahut të djathtë, Mërgim Vojvoda, vlerëson se ka startuar me sukses në edicionin e parë, në kampionatin italian, Serie A.
Vojvoda, që është pjesë e Torinos, ka arritur të ambientohet shpejt në ekipin e ri. 25-vjeçari iu bashkua ekipit italian gjatë afatit kalimtar të verës nga Standardi belg dhe po del të jetë një blerje e qëlluar nga Torino. Ai tashmë ka fituar besimin e trajnerit Marco Giampaolo, i cili e ka aktivizuar në gjashtë xhirot e para të këtij edicioni. Në ndeshjen e fundit megjithatë ishte zëvendësues.
Vetë lojtari thekson se ka punuar shumë për t’u dëshmuar pasi transferimi te Torino dhe deri më tash është i kënaqur me paraqitjet që kishte. Madje Vojvoda paralajmëron se në ndeshjet e ardhshme do të përmirësohet edhe më shumë.
“Kam pasur besim të madh kur iu bashkova Torinos dhe kam punuar vazhdimisht për të qenë plotësisht i gatshëm për fillimin e kampionit. Shpresoj që të vazhdoj me këtë ritëm dhe të tregoj paraqitje edhe më të mira, duke e ndihmuar ekipin të arrijë synimet”, ka thënë Vojvoda të premten për KOHËN.
“Jam i kënaqur me ndeshjet që i kam pasur deri më tani. Dhe mund të them se nuk kam pasur fare problem të ambientohem te Torino. Ekipi më ka pëlqyer shumë dhe mendoj se jam përshtatur shumë mirë”.
Vojvoda insiston se kalimi te Torino është një hap i madh në karrierën e tij pasi ka mundësinë të përballet me ekipe dhe lojtarë të mëdhenj. Ai pranon se Serie A është një ndër ligat më të vështira në Evropë por në momentin që është kërkuar nga Torino është ndier i gatshëm për një sfidë të tillë. Vojvoda vlerëson se futbolli italian do ta ndihmojë të zhvillohet edhe më shumë si futbollist.
“E kam ditur që Serie A është një kampionat shumë i vështirë për t’u luajtur pasi do të përballesh me lojtarë të njohur evropianë. Por kjo ishte dëshira ime pasi vetëm kështu besoj se mund të përmirësohem edhe më shumë. Për mua është shumë e rëndësishme që e kam bërë këtë hap në karrierë”, u shpreh Vojvoda.
Ai krahas gjashtë paraqitjeve i ka edhe dy asistime te Torino. Ditë më parë Vojvoda është përfshirë në listën e përzgjedhësit të Kosovës, Bernard Challandes, për ndeshjet e këtij muaji. Kosova do t’i luajë tri ndeshje, miqësoren me Shqipërinë (11 nëntor) dhe duelet e Ligës së Kombeve (Liga C) me Slloveninë (15 nëntor) në udhëtim e Moldavinë (18 nëntor) në shtëpi. Ai është i bindur se ky muaj do të jetë i rezultateve pozitive për Kosovën.
“Shpresoj që gjithmonë të jap më të mirën për Kosovën. Nuk kemi pasur ecuri të mirë në ndeshjet e fundit por shpresoj që do të arrijmë të kthehemi te rezultatet pozitive. Duhet të përgatitemi mirë për këto takime pasi nuk do të jenë të lehta. Shpresoj që të kthehemi te fitoret”, shtoi Vojvoda që me fanellën e Kosovës ka regjistruar 24 ndeshje dhe ka shënuar një gol. Kosova është pjesë e Grupit 3 të Ligës C dhe zë vendin e tretë me dy pikë të mbledhura pas katër ndeshjeve të zhvilluara.