Pasi iu iku nga duart Superkupa e Kosovës, Vlera e Sara Vraniqi kërkojnë dy trofetë tjerë deri në fund të këtij edicioni në basketboll - titullin dhe kupën.
Motrat Vraniqi për herë të parë këtë edicion janë bashkëlojtare te skuadra e Bashkimit që është kampion në fuqi në Ligën e Femrave, transmeton Koha.net.
Edicionin e shkuar, motrat Vraniqi ishin rivale, pasi Vlera ishte pjesë e KB Kalaja kurse Sara aktivizohej te Bashkimi, ekipe këto të qytetit të Prizrenit. Për dallim prej Vlerës, Sara tashmë ka fituar një trofe, titullin e kampionit që Bashkimi e ktheu pas shtatë vjetësh pritjeje.
Këtë edicion, Vlera i është bashkuar Sarës te Bashkimi dhe së bashku duan që shijojnë sukseset me këtë fanellë.
“Edicionin e shkuar, Vlera ishte rivalja ime, por në fund Bashkimi e fitoi titullin me meritë, pasi ishte bindshëm ekipi më i mirë në Kosovë gjatë pjesës së dytë të sezonit”, kujton Sara 16-vjeçare.
“Këtë edicion do të ishte ndjenjë më e veçantë nëse së bashku me Vlerën fitojmë trofe te Bashkimi, që edhe është synimi jonë kryesor”, thotë ajo.
Sara me basketboll ka filluar të merret prej moshës gjashtëvjeçare, duke shkuar pas hapave të Vlerës, e cila iu përkushtua këtij sporti kur ishte nëntë vjeçe.
Të dyja, hapat e parë i kanë marrë te "KB Junior 06" me trajnerët Edin Kërveshi e Ramush Rushiti. Vlera 22-vjeçare, edicionin e shkuar ishte ndër më të dalluarat te KB Kalaja dhe këtë vit vendosi të kthehet te Bashkimi, ekip ku kishte luajtur më parë, por asnjëherë së bashku me motrën e vogël, Sarën.
“Këtë edicion dua t'i fitojmë dy trofetë e mbetur së bashku me Sarën dhe ta ndihmojmë ekipin që të vazhdoj me suksese. Te Bashkimi po bëhet një punë e mirë, falë trajnerëve Edin Kërveshi e Fëllanza Balluku si dhe kryesisë që po bën të pamundurën për të pasur kushte të mira”, tha Vlera, e cila pas shkollës së mesme studimet i ka vazhduar në Turqi ku edhe ka luajtur.
Vlera në të shkuarën ka qenë pjesë e Kosovës kurse Sara aktualisht është pjesë e ekipit U-18. Bashkimi këtë edicion është lider në Ligën e Femrave me dhjetë fitore në po aq ndeshje dhe ekipi i vetëm pa humbje.
Javën tjetër, në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës (27 shkurt) do të përballet me Prishtinën. Motrat Vraniqi janë të bindura në suksesin e përbashkët këtë edicion kurse për këtë përdorin thënien e legjendës së basketbollit Michael Jordan: "Talenti i fiton ndeshjet, por puna ekipore dhe intelegjenca fiton kampionatet".