David Villa është i lumtur të flasë për shumë gjëra - ligat e ndryshme në të cilat ka luajtur, familjen, udhëtimet e madje edhe për mishin - por kur pyetet se kur do të përshëndetet nga futbolli aktiv, 38-vjeçari ngrin buzëqeshjen.
Pa dyshim, një prej sulmuesve më të mëdhenj që ndonjëherë ka dalë nga Spanja, Villa, ka fituar medalje të mjaftueshme për dy ose tri karriera, shkruan Reuters, transmeton “Koha Ditore”. Por, pavarësisht se ka mbushur 38 vjet, ai është ende i uritur për më shumë.
Rekordmeni i Spanjës për gola të shënuar nuk dëshiron të mendojë pensionimin, aq më pak të flasë për të.
“Nuk mendoj shumë për këtë, sepse ende po luaj dhe po vazhdoj të shkruaj historinë”, tha Villa në qendrën stërvitore të ekipit Vissel Kove, që gjendet në periferi të qytetit të gjashtë më të madh të Japonisë. “Por nëse vazhdoni të më pyesni për këtë, atëherë dua të kujtohem si një ikonë. Nëse pyetni klubet për të cilat kam luajtur, ato do të pranojnë se jam një lojtar që jap gjithçka për ekipin, si në stërvitje ashtu edhe në ndeshje. Për mua kjo është gjëja më e rëndësishme. Kaq për pyetjen rreth pensionimit”.
Golat e Villas kanë ndihmuar përfaqësuesen të fitojë titullin e botës dhe të Evropës, pastaj klubet të fitojnë Ligën e Kampionëve, titullin në La Liga dhe Kupën e Spanjës.
Te Kobe, Villa ka shënuar tre gola në pesë ndeshjet e para dhe thotë se synim e ka që kabinetit të trofeve t'ia shtojë edhe një medalje kampioni të Japonisë. Ai thotë se standardi i tij, është gjithmonë i lartë.
“Mundem të jem lider shembull. Unë besoj se suksesi vjen vetëm duke punuar shumë për çdo ditë në stërvitje. Vetëm kështu mund të përmirësohesh dhe të bëhesh i fortë”, thotë Villa. “Nuk ka rëndësi nëse luan për Barcelonën, Vissel Koben apo Sporting Gijonin ku kam filluar karrierën apo te Përfaqësuesja e Spanjës, që ishte kulmi i karrierës sime. Sekreti im është vetëm puna dhe asgjë tjetër”.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)