Sport

Veteranët e futbollit të Kosovës në Bruksel, mysafirë të FC Kosovës

Të shtunën më 7 maj në Bruksel, në stadiumin Chazal të komunës Scharbeek, zhvillohet një spektakël futbolli që pritet të jetë festë për të gjithë shqiptarët dhe miqtë e tyre në kryeqytetin e Evropës.

FC Kosova Scharbeek, tashmë skuadër me përvojë shumëvjeçare, që funksionon në kuadër të Federatës Belge të futbollit, ka organizuar një lojë miqësore mes veteranëve të FC Kosovës së Brukselit kundër yjeve të futbollit të Kosovës të viteve të ’80-a. Një ndeshje e ngjashme ishte zhvilluar vitin e shkuar në Prishtinë.

Pritet që në mesin e yjeve të Kosovës të jenë edhe lojtarët që dikur ishin ndër yjet kryesore në ish-Jugosllavi si Kujtim Shala, Fadil Muriqi, krahas Sahitit dhe shumë yjeve tjera. Ndeshja zhvillohet në orën 14 ndërsa festa në kompleksin e FC Kosovës nis shumë më herët. Organizatorët kanë ftuar të gjithë të interesuarit të vinë me familje dhe ta shndërrojnë këtë ndeshje në një festë të madhe futbolli.

https://www.fckosova.be/news/veterans-match-gala-a-chazal-le-7-mai-2022/

Kosova Scharbeek e Brukselit ka ekipe nga të gjitha moshat që bëjnë gara në ligat e ndryshme të Belgjikës, nga mosha shtatëvjeçare e deri tek ekipet e veteranëve. Ekipi i parë i FC Kosovës bën gara në ligën e parë provinciale të rajonit të Brukselit. Para dy vjetësh ishte kualifikuar në ligën e tretë nacionale, që është suksesi më i madh i kësaj skuadre në historinë e saj mbi 30-vjeçare.