Qëkur legjenda braziliane Rivelino u bashkua me skuadrën e Arabisë Saudite, Al-Hilal, në fund të viteve 1970, rajoni i Gjirit është bërë një strehë fitimprurëse si stacioni i fundit për yjet e moshuar.
Pesë herë fituesi i “Topit të Artë”, Cristiano Ronaldo, i cili nënshkroi kontratë dyvjeçare me skuadrën e Arabisë Saudite, Al-Nassr, të premten e kaluar, është deri tani “kapja më e madhe” për shtetet e Gjirit të pasura me naftë dhe gaz. Me të ardhurat e tij të vlerësuara në më shumë se 200 milionë euro në vit, sulmuesi portugez 37-vjeçar është i fundit në një listë të gjatë të lojtarëve madhështorë që kanë zgjedhur sasinë në vend të cilësisë, duke braktisur ligat elitare të Evropës për një pagesë të majme të fundit. Ronaldo u prezantua të martën, ndërsa entuziazmi tek arabët ishte i madh.
Ndonëse pritjet e tifozëve të Al Nassrit janë të larta, ata mund të zbuten nga shumë shembuj të atyre që erdhën, por nuk arritën të qëndronin gjatë ose dështuan të ofronin vlerë për paratë që i fituan. Fituesit e Kupës së Botës me Brazilin në vitin 1994, Romario dhe Bebeto janë prej shembujve.
Rivelino dha gjithçka nga vetja teksa i dha fund karrierës 16-vjeçare tek Al-Hilali. Një nga yjet e ekipit fitues të Kupës së Botës të Brazilit në vitin 1970, Rivelino solli për herë të parë vëmendjen e futbollit botëror në Mbretëri. Ai la gjurmë duke fituar titullin e Ligës Profesionale Saudite me 39 gola të shënuar. Në të njëjtin vit kur Rivelino iu bashkua Al-Hilalit, bashkatdhetari i tij, Carlos Alberto Parreira, shkoi në Kuvajt, që më pas u kualifikua për Kupën e Botës 1982. Ishte e vetmja herë që Katari e ka bërë një gjë të tillë.
Në vitin 1998, Al Nassr nisi kampanjën për të tërhequr top-lojtarët, duke transferuar Hristo Stoichkovin, i cili vlerësohet njëri prej futbollistëve më të mëdhenj të Bullgarisë të të gjitha kohërave. Edhe pse periudha e tij në Arabinë Saudite ishte e shkurtër, Stoichkov e ndihmoi ekipin Al Nassr ta fitojë Kupën e Fituesve të Kupave të Azisë në atë edicion. Ai ishte një nga yjet e shumtë të Evropës që bëri paraqitje për klubet saudite.
Superylli brazilian dhe fituesi i Kupës së Botës 1994, Bebeto luajti vetëm pesë ndeshje - duke shënuar vetëm një gol - përpara se të tërhiqej në vitin 2002. Denilson, një tjetër yll brazilian që dikur ishte lojtari më i shtrenjtë në këtë sport, luajti me Al Nassr vetëm për dy muaj në vitin 2007. Duke parë me zili, Emiratet e Bashkuara Arabe vendosën të ndërmerrnin veprime dhe ndoqën shembullin e klubeve të Arabisë Saudite. Liberiani George Weah, fitues i “Topit të Artë” në vitin 1995, luajti me klubin Al Jazira të Abu Dabit për dy edicione (2001-2003). Fabio Cannavaro, i cili udhëhoqi Italinë drejt lavdisë së Kupës së Botës në vitin 2006, iu bashkua klubit Al-Ahli në Dubai për një sezon në vitin 2011. Midis vitit 2003 dhe 2004, nikoqiri fundit i Kupës së Botës, Katari, hyri në garë duke nënshkruar me më shumë se 30 lojtarë ndërkombëtarë. Këtu përfshiheshin mbrojtësit francezë, Frank Leboeuf dhe Marcel Desailly si dhe Pep Guardiola e Fernando Hierro të Spanjës, përveç argjentinasit Gabriel Batistuta, i cili shënoi rekord prej 25 golave në sezonin e parë me klubin Al-Arabi.
Në të njëjtin sezon klubi kryesor i Katarit, Al-Sadd, nënshkroi kontratë 100-ditore me vlerë 1.5 milionë dollarë me legjendën braziliane Romario. Ish-ylli i Barcelonës nuk arriti të shënonte gol në tri ndeshjet ku u shfaq.
Grupi i lojtarëve më të suksesshëm të Al-Sadd përfshin spanjollin Raul, i cili u bashkua në vitin 2012 dhe fitoi titullin e Ligës së Katarit në sezonin e tij të parë. Al-Sadd më pas nënshkroi kontratë me spanjollin Xavi në verën e vitit 2015 pas periudhës së tij shkëlqyese me Barcelonën. Xavi nuk zhgënjeu. Gjatë katër sezoneve të tij si lojtar, Xavi fitoi shumë trofe vendorë, më së shumti ligën e Katarit. Kampionatin e fitoi përsëri si trajner përpara se të largohej në fund të vitit 2021.