Sport

Vesa Gjinaj, fituese e turneut “Kosovo Ladies Open 2017”

Tenistja 12-të vjeçare Vesa Gjinaj është fituese e turneut “Kosovo Ladies Open”, pasi në finalen e madhe e mposhti 15-të vjeçaren nga Durrësi i Shqipërisë, Brunilda Mrruku, me rezultat identik 6:4, 6:4.

Në këtë turne që u organizua Federata e Tenisit të Kosovës ishin 13-të lojtare pjesëmarrëse në total, të cilat i zhvilluan meçet në fushën e tenisit “Rilindja” në Taukbashqe, transmeton KTV.

Nga 13-të tenistet që luajtën nga 3 deri më 5 gusht, në finale u takuan Vesa Gjinaj që është finalistja dhe fituesja më e re që prej kur ky turne organizohet, si dhe Brunilda Mrruku nga Shqipëria.

Meçi që zgjati 1 orë e 31 minuta në temperatura të larta, i takoi në tërësi tenistes së re Gjinaj, e cila dominoi në të dyja setet dhe me meritë e ngriti lartë trofeun e çmuar.

Seti i parë nisi në të mirë Gjinajt që me teknikë të lartë e me poenë tejet bukur të fituar, e nga ana tjetër Mrruku ishte kundërshtare e denjë vetëm në tre gemet e para.

I ngjashëm ishte edhe seti i dytë, ku 12-të vjeçarja vazhdoi me lojë të mirë, por pranë rezultatit 5:2 ra koncentrimi i saj, e Mrruku e ngushtoi epërsinë në 5:4. Por, Gjinaj në gemin e fundit nuk e lëshoi sërish mundësinë për të fituar dhe ia arriti synimit që të shpallet më e mira e kësaj gare.

Ajo u shpreh tejet e lumtur për këtë sukses, ani pse e pranoi se emocionet nuk munguan, ndërsa kundërshtarja e saj Brunilda Mrruku, deklaroi se ishte e stërvitur në terrene tjera, e jo në atë me dhe.

Kryetari i Federatës së Tenisit të Kosovës, Mejdi Rexhepi, nënvizoi se turneu ka qenë cilësor dhe se janë parë meçe mjaftë të mira.

Ky ishte viti i tetë me radhë që organizohet turneu “Kosovo Ladies Open”, dhe tashmë është kthyer në turne tradicional.