Në vërshimet në Pejë të shtunën humbën jetën një nënë dhe fëmija i saj 5-vjeçar, ndërsa pati dëme të konsiderueshme në lagje të ndryshme.
Trajneri i xhudos Driton Kuka ka publikuar në Facebook një foto të pamjeve të qytetit të Pejës të dielën.
Ai u ka bërë thirrje autoriteteve që t’u dalin në ndihmë qytetarëve.
“Pamje apokaliptike nga qyteti i Pejës! Mbrëmë qyteti ynë u trondit nga një kohë e cila shumë lagje i ka sjell në gjendjen çfarë po shihni në foto! Që të jetë gjendja edhe më e trishtë një nënë e re me fëmijën e saj 5-vjeçar u gëlltit pamëshirshëm në lagjen tonë duke i bë këto vërshime me dhembje për të gjithë ne! Apel ekipeve të emergjencës që me urgjencë të fillojnë qysh sot të u vijnë në ndihmë qytetarëve kudo që vërshimet kanë depërtuar. Përndryshe shumë lagje po përballen me shumë probleme dhe koha nuk pret, sot s’po shoh ende asnjë lëvizje ende, përkundër që është mëngjes i hershëm. Peja ka nevojë urgjente që të rimëkëmbet, shumë lagje janë sot në mëngjes duke u përballë me mungesa nga më të ndryshmet, rrymë, ujë e shumë probleme tjera!” – ka shkruar Kuka në Facebook.