Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Vërshëllimat ndaj Maguiret rihapin plagët e vjetra të Anglisë

Harry Maguire

Dukej si një postim krejtësisht i pafajshëm pas ndeshjes, i llojit që e bëjnë futbollistët pothuajse çdo javë.

“Javë e këndshme duke luajtur për vendin tim”, shkroi Harry Maguire në Twitter herët të mërkurën, ku ishte një foto e tij duke shkelmuar topin.

Një natë më parë Maguire ishte objektiv i shakave dhe abuzimeve të një pjese të tifozëve të Anglisë, para dhe gjatë fitores 3:0 të ekipit ndaj Bregut të Fildishtë në miqësoren e luajtur në stadiumin “Wembley” në Londër. Kur emri i tij u lexua në formacionin para ndeshjes, u vërshëllye. Maguire vërshëllehej edhe kur e prekte topin. Pse? Në fund të fundit, ai ka qenë një prani kryesisht e besueshme në zemër të mbrojtjes së Anglisë tashmë një kohë të gjatë. Ai e ndihmoi Anglinë të arrinte në finalen e “Euro 2020” dhe ishte pjesë e ekipit më të mirë të turneut, i vendosur përkrah shumë lojtarëve më të mirë të kontinentit. Vërshëllimet ndaj tij janë për diçka krejtësisht tjetër, paraqitjeve të Maguiret me fanellën e Manchester Unitedit.

“Janë qesharak”, tha trajneri i Anglisë, Gareth Southgate, për tifozët që vërshëllyen Maguiren.

Më pas, një nga një, shokët e ekipit të Maguires te Anglia u rreshtuan pas qendërmbrojtësit në një seri postimesh në Twitter.

“Është marrëzi. Mbështetini lojtarët e tij, sidomos në prag të një turneu të madh”, shkroi Declan Rice.

Më i ashpër në reagim ishte kapiteni i Anglisë, Harry Kane, i cili tha se nuk po mund të besonte që Maguire është fyer nga tifozët anglezë. Ndoshta, mbështetja më e rëndësishme për Maguiren, erdhi nga mesfushori Jodan Henderson.

“Nuk mund ta kuptoj atë që ndodhi ndaj Bregut të Fildishtë. Të shahet në stadiumin e tij në shtëpi, pa asnjë arsye. Çfarë jemi bërë ne?”.

Ndërhyrja e Hendersonit ishte e dukshme, sepse ai është kapiten i Liverpoolit, rivalit më të madh të Manchester Unitedit. Nuk ishte shumë kohë më parë - në të vërtetë, kur Southgate luante për Anglinë - që rivalitetet e klubeve si ai midis Unitedit dhe Liverpoolit u përhapën në përfaqësuese. Ka histori të lojtarëve të klubeve përkatëse që nuk ulen me njëri-tjetrin në takimet e skuadrës së Anglisë.

“Ne kishim një brez që quhej ‘Brezi i Artë’ i lojtarëve, ku pritshmëritë ishin të mëdha që me përfaqësuesen të fitonim diçka. Por, rivaliteti mes klubeve tona na pengoi të ishim të suksesshëm me Anglinë, pasi ne nuk ishim në gjendje të krijonim lidhje mes vete kur mblidheshim për ndeshje ndërkombëtare”, pranoi ish-mbrojtësi i Anglisë, Rio Ferdinand.

Ky nuk është qartë rasti me Anglinë e Southgates. Klikat janë zhdukur brenda skuadrës. Megjithatë, ato nuk janë larguar nga tribuna. Dhe për Southgaten, ky është një shqetësim i madh në prag të Botërorit.

“Ne jemi ose të gjithë së bashku në këtë, ose nuk jemi”, tha Southgate. “Dhe, ky ka qenë problemi më i madh për të luajtur për Anglinë, të cilin e kemi eliminuar vitet e fundit. Lojtarët janë bërë bashkë dhe kështu duhet të veprojnë edhe tifozët, sepse mund të na dëmtojnë shumë”.

Ai renditi lojtarët e Anglisë që kanë qenë në shënjestër të abuzimeve nga tifozët e tyre gjatë viteve - John Barnes, Ashley Cole, Raheem Sterling dhe tani Maguire.

“Ne kemi nevojë që Maguire të luajë mirë nëse do të kemi një shans për të bërë mirë në Katar”, tha Southgate.

Shfaqjet tipike të forta të Maguiret për Anglinë gjatë dy vjetëve të fundit kanë ardhur në një kohë të vështirë personalisht për të. Paraqitjet e tij për Unitedin nuk e kanë justifikuar shpenzimin e klubit prej 95 milionë eurosh për ta transferuar Leicesterin në vitin 2019, veçanërisht këtë sezon pasi skuadra lufton për t'u kualifikuar në Ligën e Kampionëve. Southgate u mundua të thoshte se kishte tifozë anglezë që kënduan emrin e Maguiret të martën në një përpjekje për të kundërshtuar talljet. Por trajneri nuk mund ta fshihte hutimin, madje edhe zemërimin, për atë që e pa si një rihapje të mundshme të plagëve të vjetra kur bëhet fjalë për lidhjen mes tifozëve dhe skuadrës angleze. Maguire do të jetë gjithmonë një objektiv për disa shkaku i lidhjeve të tij me Unitedin. Anglia duhet vetëm të shpresojë se kjo nuk do të vazhdojë të ndikojë në paraqitjet e tij në një kohë kur triumfi në Botëror është një ambicie realiste.

Artikuj të ngjashëm