Harry Maguire tha se ai mund të përballojë presionin e të qenit në qendër të vëmendjes për klubin dhe përfaqësuesen, pasi trajneri i Anglisë, Gareth Southgate dënoi “trajtimin qesharak” që iu bë mbrojtësit nga tifozët. Qendërmbrojtësi i Manchester Unitedit regjistroi ndeshjen e tij të 59-të kur u inkuadrua si zëvendësues në fitoren 3:1 të Anglisë në miqësoren ndaj Skocisë në Glasgoë të martën, por paraqitja e tij u dëmtua nga autogoli i shënuar. Maguire u brohorit në mënyrë sarkastike nga tifozët skocezë sa herë që prekte topin.
“Është një shaka”, tha Southgate. “Unë kurrë nuk kam njohur që një lojtar të trajtohet ashtu siç është - jo nga tifozët skocezë, por nga komentuesit tanë, ekspertët dhe të tjerët”.
Maguire, 30 vjeç, ka pasur vështirësi për të luajtur në United nën drejtimin e trajnerit Erik ten Hag, por ka mbetur një lojtar i rregullt për Anglinë, e cila ka arritur në fazat e fundit në tre turnetë e fundit të mëdhenj.
“Nuk do të thosha se jam një person që lufton me presionin mendor. Kam kaluar shumë në dy vjetët e fundit dhe kam qenë kapiten i Manchester Unitedit për gati katër vjet. Ju merrni një përgjegjësi të madhe dhe gjithçka që vjen me të dhe kjo është më shumë e keqe se e mirë”, ka thënë Maguire. “Por, për mua ishte një nder i madh dhe sigurisht është një mjedis armiqësor kohët e fundit, siç e shoh unë, pasi vazhdimisht më bëjnë presion. Nuk do të thosha se jam mësuar me këtë presion të talljeve, por mund ta përballoj”.
Maguire ka bërë vetëm një paraqitje zëvendësuese për Manchester Unitedin deri më tani këtë edicion, pasi një lëvizje te West Ham Unitedi në afatin kalimtar të janarit nuk u realizua. Ai e përshkroi karrierën e tij ndërkombëtare si një “prioritet të madh”, por beson se ende mund të justifikojë vendin e tij në skuadrën e selektorit Southgate duke pasur paraqitje të mira kur ftohet për të luajtur për Anglinë.
Edhe
Maguire konfirmon bisedimet për rinovimin e kontratës
“Kam marrë në konsideratë gjithçka dhe e di, në momentin që nuk kam nisur një ndeshje në katër ndeshjet e para të sezonit, më përsëritet historia e talljes”, tha Maguire duke iu referuar së ardhmes së tij në klub. “E përfundova edicionin e kaluar me dy paraqitje shumë të forta për Anglinë dhe kam luajtur në të pesë ndeshjet për të na ndihmuar të vendosemi aty ku jemi në kualifikime, kështu që duhet të vazhdoj të luaj mirë kur zgjidhem. Sa i përket futbollit në nivel klubi, unë përfundimisht dua të luaj, por kjo nuk varet prej meje. Katër javët e para ishin të vështira, sepse ishte një ndeshje në javë dhe trajneri më përzgjodhi, por ne kemi shumë ndeshje tani dhe jam i sigurt se do të luaj shumë ndeshje”.
Maguire është pjesë e Manchester Unitedit prej vitit 2019, kur iu bashkua nga Leicester City. Në fakt, ai është mbrojtësi më i shtrenjtë, pasi Unitedi për kartonin e tij pagoi hiq më pak se 90 milionë euro. Maguire ka një titull kampioni të Anglisë me Leicesterin, ndërsa me Unitedin ka kontratë deri në verën e vitit 2025, me opsionin e rinovimit edhe për një vit tjetër. Ai ka edhe 59 paraqitje dhe 7 gola të shënuar me Përfaqësuesen e Anglisë, për të cilën debutoi në tetor të vitit 2017.