Nëse do të vazhdojnë apo do të shtyhen aktivitetet sportive e në veçanti kampionati i Kosovës në Futboll, IPKO Superliga, është tema që do të trajtohet të dielën në “Sportin Total”.
Pas takimit të drejtuesve të institucioneve sportive me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, dhe me ministren e Sportit, Vlora Dumoshi, një vendim për mbajtjen apo anulimin e garave do të merret gjatë javës që vjen. Për këtë temë në “Sportin Total” do të flasin zyrtarë të Federatës së Futbollit të Kosovës, përfaqësues të Ministrisë së Sportit dhe analistë, të cilët vlerësojnë nëse duhet të nisin garat dhe në çfarë mënyre, apo edhe të anulohen për këtë sezon.
“Takimi i parë i drejtuesve të institucioneve sportive me përfaqësuesit e ministrive të Shëndetësisë dhe të Sportit ishte pa rezultat, pasi nuk u vendos asgjë. Mbi të gjitha, me kërkesën e FFK-së për të rinisur sa më shpejt garat, u mbajt takimi i parë që deri më tani ishte mbajtur në forma të tjera indirekte. Takimi i radhës mund të jetë vendimtar për sportin e Kosovës, sidomos për futbollin, sportin kryesor në vend”, ka thënë Bujar Mehmeti, udhëheqës i “Sportit Total”.
Kjo temë do të trajtohet në pjesën e parë të emisionit, ku do të ketë edhe lidhje direkte, ndërsa veç bisedës Redaksia e Sportit në KTV në pjesën e dytë do të flasë për Bundesligën, kampionatin gjerman të futbollit, që bëhet i pari nga top-ligat evropiane, që nis pas pezullimit për shkak të pandemisë me koronavirusin.
Raportet nga ndeshjet kryesore të Bundesligës, por edhe paraqitjet e futbollistëve shqiptarë në dy ligat e para të futbollit në Gjermani, do t’i sjellim të detajuara në “Sportin Total”. Pjesa e tretë e emisionit do të veçohet me storiet dhe tregimet e veçanta, por edhe me intervistat ekskluzive nga sportistët shqiptarë në vend dhe jashtë vendit. “Sporti Total”, transmetohet çdo të diel nga ora 22:15 në KTV.