Vendimet e asociacioneve ndërkombëtare sportive për pezullimin e Rusisë dhe Bjellorusisë kanë ndikim edhe në përfaqësueset e Shqipërisë dhe ato të Kosovës.
Të hënën, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar fillimisht rekomandoi që sportistët e Rusisë dhe Bjellorusisë të largohen nga garat ndërkombëtare, për shkak të konfliktit në Ukrainë.
Nuk vonoi shumë dhe asociacionet e futbollit, FIFA dhe UEFA, ia dhanë goditjen e madhe Rusisë. Ekipet dhe përfaqësueset e Rusisë janë pezulluar nga garat ndërkombëtare. Kështu Rusia mbetet jashtë plejofit për kualifikim në Botëror, ndërsa nëse vendimi mbetet në fuqi, nuk do të luajë as ndeshjet e edicionit të tretë të Ligës së Kombeve.
Rusia është në Grupin 2 të Ligës B të Ligës së Kombeve. Madje ndeshjen e parë është dashur ta luajë ndaj Shqipërisë në Tiranë. Ndeshja Shqipëri – Rusi ishte planifikuar të luhej më 2 qershor. Aktualisht ajo ndeshje është e pezulluar, njëjtë si ndeshja Rusi – Shqipëri, që ishte planifikuar të luhej menjëherë më 13 qershor.
FIFA e UEFA nuk lejojnë përballjet e Kosovës me Rusinë në gara zyrtare. Rrjedhimisht vendimi i tyre nuk ka ndonjë ndikim në futbollin kosovar.
Por ka ndikim në hendboll. Federata Evropiane e Hendbollit të hënën mbrëma ka pezulluar Rusinë dhe Bjellorusinë, duke përfshirë klubet dhe ekipet përfaqësuese të tyre. Hendbollistët e Kosovës U20 në korrik është dashur të takohen me Bjellorusinë në Evropianin e Divizionit B. Tek ajo ndeshje me shumë mundësi nuk do të vijë.
“Kombëtarja U20 e Kosovës në hendboll do të duhej të luante me Bjellorusinë në Evropianin e Divizionit B që mbahet në Varna të Bullgarisë prej 14 deri më 23 korrik. Sipas shortit, Kosova është në grup me Bjellorusinë, Zvicrën, Rumaninë dhe Ukrainën. Ndërkohë Kombëtarja U18 e Rusisë është në një grup tjetër të Evropianit, në të cilin Kosova paraqitet në muajin gusht”, ka njoftuar Federata e Hendbollit e Kosovës.
Pra Kosova U18 do të mund të luante për plasman përfundimtar me Rusinë. Por te kjo përballje me shumë mundësi nuk do të vijë.