Sport

Vëllaznimi përshëndetet me humbje nga Superliga

Orari i garave ka bërë që ndeshja përmbyllëse e stinorit të rregullt në Superligën e Kosovës në basketboll mos të ketë vlerë. Më herët është ditur se Peja do të përfundoi në vend të katërt e për më tepër, që Vëllaznimi do të mbetet në pozitën e fundit.

Ndryshe do të ishte sikur të gjitha katër ndeshjet e xhiros së 28-të të luhen në termin të njëjtë. Atëherë ndeshja do të kishte peshë për Vëllaznimin, që para se të fillonte xhiroja kishte gjasa matematikore për të dalë në vendin e parafundit.

Por pas fitores së Sigal Prishtinës ndaj Bashkimit, të shtunën, u përcaktua që Vëllaznimi do të jetë i fundit. Vëllaznimi të dielën mbrëma pësoi nga Peja me 30 pikë dallim, 93:63. Brandon Walters udhëhoqi Pejën me 30 pikë e 15 kërcime. Emmanuel Emogbo realizoi 16 pikë e 9 kërcime për Vëllaznimin.

Peja në çerekfinale të plejofit takohet me Sigal Prishtinën. Peja përfundon në vend të katërt me 43 pikë. Vëllaznimi mbetet i fundit me 38 pikë dhe edicionin tjetër do të luaj në Ligën e Parë, nëse nuk ndodh ndonjë ndryshim.