Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Vëllai i Ansu Fatit luan falas në kategorinë e nëntë angleze

Ka diçka që e lidh familjen Fati me fanellën numër dhjetë. Ansu Fatit, i cili nënshkroi një marrëveshje gjashtëvjeçare me Barcelonën me një klauzolë lirimi prej 1 miliard eurosh në tetor, iu dorëzua fanella me numrin dhjetë që ishte lënë e lirë nga Lionel Messi dhe që shihet si një nga fanellat më prestigjioze në botë.

Ndërkohë, në kategorinë e nëntë të futbollit anglez, vëllait të madh të Ansus, Braimas, i është dorëzuar fanella me numrin dhjetë në skuadrën Biggleswade United. Braima anuloi kontratën me Barcelonën për të vazhduar jetën e tij në Angli, gjatë verës.

Braima 23-vjeçar, ka zgjedhur ta lërë në Spanjë të dashurën Miriam dhe vajzën Milena, për të kaluar një vit duke mësuar gjuhën angleze. Këtë do ta bëjë kryesisht në fushë, mes shokëve të skuadrës. Ai ka marrë me qira për 12 muaj një apartament dhe prej së hënës deri të premten po i ndjek mësimet në Cambridge. Kjo, thotë ai, do të jetë më e lehtë kur ta marrë një makinë, por tani për tani po shijon ndërlikimet e udhëtimit në linjat e trenit në Angli.

“Është një vendim që nuk është marrë për një ditë”, thotë Braima. “Ka qenë shumë e vështirë në planin personal dhe profesional, sepse unë kam vajzën time në Spanjë, partneren time dhe gjithçka tjetër”.

Braima këtë e quan sakrificë për ta ndihmuar vajzën dhe partneren e tij në të ardhmen. Ai thotë se dëshira e tij është ta mësojë gjuhën angleze dhe për këtë arsye vendosi të largohet nga Barça.

Edhe Barcelona njofton për 10-shin e ri të skuadrës Futboll Barcelona njofton për 10-shin e ri të skuadrës

“Por, sigurisht unë preferoj të sakrifikoj sot, kështu që nesër do të jem në gjendje t’i ndihmoj vajzën time dhe partneren time. Unë mendoj se jam një djalë i ri dhe mendoj se mund ta shfrytëzoj këtë mundësi tani”, shprehet ai. “Kur mora këtë vendim i thashë familjes sime, partneres sime, u thashë njerëzve përreth dhe miqve. Shumica prej tyre, pothuajse të gjithë, më thanë se do të paguanin për të jetuar këtë përvojë, për të dalë dhe për të mësuar gjuhën që është objektivi im kryesor, që është arsyeja pse jam këtu”.

Udhëtimi futbollistik i Braimas filloi në Sevilla pasi familja u largua nga Guinea-Bissau për të ndjekur ëndrrën e futbollit të djalit të tyre. Ai i hapi rrugën vëllait të vogël, Ansu, që të shijojë sukseset që ka sot. Ndërsa ka “shumë kujtime” nga koha në Spanjë, ishte kalimi në akademinë e famshme të Barcelonës “La Masia” në vitin 2011, një vit para se Ansu të bënte të njëjtën lëvizje, që ndryshoi jetën e Braimas.

“Unë mendoj se është një nga përvojat më të mira që kam pasur dhe këtë do ta thotë çdo fëmijë që është apo ka qenë në ‘La Masia’. Është një eksperiencë që të përgatitë për jetën, sepse kalon shumë sfida”, shprehet Braima. “Shumë gjëra të kalojnë nëpër kokë kur je atje, por më së shumti që je te Barcelona, klubi më i mirë në botë”.

Ndërsa Ansu u ngrit në rangun e tij duke thyer rekorde, Braima e dinte se duhej të bënte një lëvizje tjetër për t'i dhënë vetes një të ardhme më të mirë larg futbollit. Në verë ai vendosi të anulojë kontratën dhe të largohet nga Barcelona. Ai kishte dëgjuar për Biggleswade United përmes avokatit të familjes, i cili ishte i lidhur mirë me kryetarin e klubit, gazetarin e shquar spanjoll, Guillem Balague.

Klubi drejtohet nga vullnetarë dhe është i njohur për gjithëpërfshirjen e tij, duke promovuar futbollin femëror, futbollin e të rinjve dhe diversitetin. Nuk do të kishte para në dispozicion për të paguar Braiman, por ai nuk ishte i shqetësuar. Ai ishte i përkushtuar të bashkohej dhe të qëndronte për aq kohë sa i lejonte llogaria e tij e kursimeve.

Edhe Yamal merr numrin 10 te Barcelona Futboll Yamal merr numrin 10 te Barcelona

“Me ndihmën e Guillemit unë jam në një ekip. Në ekipin e tij, duke luajtur dhe e vërteta është se nuk mund të isha më mirë. Familja ime më ka mbështetur gjithmonë. Është një fazë në jetën time, që në moshën 23-vjeçare. Kam kaluar nëpër shumë skuadra, kam qenë në shumë klube dhe doja të shfrytëzoja këtë mundësi për të testuar veten dhe shikoj sa larg mund të shkoj”, shprehet ai.

“Mendoj se është një mundësi e mirë për të rifilluar karrierën time. Përveç futbollit, për atë që dua të bëj në të ardhmen nëse nuk ia dalë mirë në futboll. Kjo është sfida që më ka sjellë këtu”.

Braima ka thënë se vëllai i tij i vogël, ylli i Barcelonës, Ansu, i ka premtuar se do ta vizitojë skuadrën e nivelit të nëntë në një ndeshje të kampionatit amator të Anglisë.

“Ansu më ka premtuar dhe do të vijë për të më shikuar duke luajtur në Angli”, thotë Braima.

Edhe Fati dëshiron qëndrimin te Barcelona Futboll Fati dëshiron qëndrimin te Barcelona

Biggleswade Unitedi është në vendin e 20-të në Ligën e Divizionit Jugor, por Braima nuk po nxiton t'i rikthehet jetës së tij në Spanjë. Fati, i cili ka një gol deri më tani, të cilin e shënoi muajin e shkuar, po përballon erën dhe shiun, të ftohtit e ashpër të dimrit anglez dhe po refuzon të përjashtojë përgjithmonë qëndrimin në Angli.

“Unë nuk kam një datë kthimi dhe nuk kam ndonjë plan të kthehem tani”, shtoi ai. “Unë jam këtu duke mësuar anglisht, duke luajtur futboll pa pagë dhe ka gjasa të mbetem këtu nëse e mësoj gjuhën mirë dhe arrij të bëj diçka jashtë futbollit”.