Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Vdiq në moshën 47-vjeçare trajneri i KH Vushtrrisë

Klubi hendbollistik i Vushtrrisë ka njoftuar se të premten ka vdekur në mënyrë të papritur trajneri i tyre 47-vjeçar Andon Boshkovski.

Boshkovski udhëhoqi KH Vushtrrinë drejt Superligës.

“Ju njoftojmë se dje me datë 23 shtator, ka ndërruar jetë trajneri ynë Andon Boshkovski. Trajneri filloi punën me 17 shkurt, dhe prej asaj periudhe ne u shpallëm kampion të ligës së parë si dhe bashkë krijuam një ekip kompetitiv për vendet e para në Superligë. Trajneri do të mbahet në mend përjetë në historinë e klubit, stafit si dhe lojtarëve të klubit tonë”, ka njoftuar klubi vushtrrias.

Boshkovski gëzon një karrierë të gjatë si trajner në hendboll.

Ai ishte trajner i shumë skuadra maqedonase, teksa drejtoi për pak edhe HCM Romanin e Rumanisë dhe Kombëtaren e Gjeorgjisë në periudhën 2017-2019.