Ka vdekur në moshën 63 vjeçare Gëzim Hadri, ish-futbollist i Vëllaznimit e më vonë edhe gjyqtar në futbollin kosovar.
Lajmin e ka bërë të ditur KF Vëllaznimi përmes një postimi në Facebook.
“I njoftojmë të gjithë tifozët e Vëllaznimit, futbolldashësit gjakovar dhe nga tërë Kosova se sot, e mërkurë 6 mars 2019, pas një sëmundje të shkurtër e të rëndë në moshën 63 vjeçare ka ndërruar jetë ish-futbollisti shumëvjeçar i klubit tonë, Gëzim Hadri. I ndjeri, pas një periudhe të gjatë si futbollist, për më shumë se një dekadë e ka kryer detyrën e gjyqtarit të futbollit e më vonë edhe të analistit të referimit në Televizionin 21”, thuhet në postimin e KF Vëllaznimit, transmeton Koha.net.
Më tutje thuhet se varrimi i të ndjerit bëhet nesër (e enjte 7 mars) në orën 12:00 në varrezat e qytetit në Gjakovë.
“Me vdekjen e Gëzim Hadrit, Vëllaznimi humbi një ish-futbollist të shquar të vetin. Me këtë rast Klubi i Vëllaznimit i prirë nga presidenti Agim Cana, i shprehin ngushëllime familjes Hadri dhe i dëshirojnë që Zoti i madhërishëm t’ua fal durimin. Kujtimi për Gëzimin, gjithnjë do të jetë i freskët në klubin tonë”, thotë klubi nga Gjakova.
