Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Vdekja e babait dhe alkooli shkatërruan karrierën e Adrianos

Të hënën ishte ditëlindja e 38-të e sulmuesit brazilian Adriano. Gjatë festës, ish-qendërsulmuesi i Brazilit ka gjasë të jetë zhytur në mendime se si ka shkuar karriera e tij.

Se si ka mundur ende të ishte aktiv në futboll, në rast se do të ishte më i disiplinuar, raporton “The Sun”.

Në kulmin e formës, Adriano ishte një nga sulmuesit më të mirë në botë. Një sulmues i fuqishëm me një gjuajtje të fuqishme me këmbë të majtë. Ishte tmerr i mbrojtësve.

Ai kishte pesë stinor të shkëlqyer në Itali, në periudhën kur Serie A ishte liga më e fortë në botë. Te Interi luajti nga viti 2004 deri më 2009, duke realizuar 47 gola në 115 ndeshje. 

Por, karriera e tij nuk shkoi siç pritej. E arsyeja për këtë rënie është e lehtë të gjendet.

Adriano kishte një lidhje të ngushtë me babain e tij. Ishte shumë prekës të shihej Adriano me babain e tij në plazh vetëm pak ditë pasi që sulmuesi fitoi Copa American në vitin 2004 me Brazilin.

Familja ishte rritur në një nga lagjet më të dhunshme të Rio de Janeiros dhe babai i tij mbante plagët e kësaj. Një plumb kishte ngecur në kokën e tij, pasi ishte zënë në një luftë me armë. Ishte edhe faktori për vdekjen e tij të parakohshme.

Vdekja e babait e goditi rëndë sulmuesin. Ai filloi të pinte alkool dhe të humbiste stërvitjet. Mirëpo, ai gjithmonë gjente klube që ishin të gatshme t’i ofronin edhe një rast.

Por, ai thjeshtë vazhdonte të ndërronte klubet. Së fundi luajti disa ndeshje për Miamin në SHBA në vitin 2016. Tash ai ka mbushur 38 vjet dhe është fer të konkludohet se më nuk do të shihet në fushë të futbollit.

Vet Adriano disa vite më parë kishte treguar se sa shumë ndikoi vdekja e babait të tij tek ai.

“Vetëm unë e di se sa kam vuajtur. Vdekja e babait tim më la një vrimë të madhe, ndjehesha shumë i vetmuar. Pas vdekjes së tij çdo gjë u bë më keq, pasi e izolova veten. Isha i vetmuar, i depresionuar në Itali dhe më pas nisa të pija alkool. Ndjehesha i lumtur vetëm kur pija. Pija çdo gjë që kisha në dorë: verë, viski, vodka, birra. Shumë birra. Nuk ndalesha dhe në fund u desh të largohesha nga Interi”, kishte rrëfyer Adriano.

Artikuj të ngjashëm