Mbrojtësi i Francës, Raphael Varane tha se shokët e tij tek ekipi i Manchester Unitedit ishin dukshëm të prekur nga deklaratat e Cristiano Ronaldos në një intervistë televizive, ku tha se ai nuk e respekton trajnerin Erik ten Hag dhe ndihej i tradhtuar nga skuadra e Premier Leagues.
Në një intervistë shpërthyese në “TalkTV” që ka hedhur dyshime për të ardhmen e tij në klub, Ronaldo tha se po detyrohej të largohej nga skuadra që iu bashkua vitin e shkuar për periudhën e tij të dytë pasi fitoi tetë trofe të mëdhenj me të nga 2003 deri më 2009. Unitedi tha se ata do t'i adresonin komentet e sulmuesit portugez vetëm pasi të vërtetonin faktet e plota, por Varane tha se situata kishte ndikuar te lojtarët.
“Natyrisht që kjo ndikon tek ne. Ne ndjekim se çfarë po ndodh dhe çfarë po thuhet. Ne përpiqemi ta qetësojmë situatën në mënyrën tonë, përpiqemi të mos përfshihemi shumë në të. Ajo që po ndodh në mediapo merr vrull.”, tha Varane, i cili është pjesë e Francës për Botërorin e Katarit.
“Kur është në pyetje një yll si Ronaldo, kjo ndikon edhe më shumë, kështu që ne përpiqemi ta marrim me qetësi, domethënë nuk përpiqemi të ndryshojmë situatën vetëm, ne jemi pjesë e një kolektivi”. Muajin e kaluar, Ten Hag tha se Ronaldo refuzoi të hynte si zëvendësues kundër Tottenhamit kur sulmuesi u largua nga fusha kur ende nuk kishte përfunduar ndeshja.
37-vjeçari më pas nuk ishte pjesë e skuadrës që u përball me Chelsean në duelin tjetër. Varane, i cili gjithashtu ka luajtur së bashku me Ronaldon te Real Madridi, tha se pjesa tjetër e ekipit ishte e gatshme të pranonte çdo gjë që Unitedi vendos.
“Ajo që dua është më e mira për ekipin tim, kështu që cilido qoftë vendimi, si lojtarë, ne do ta pranojmë atë dhe do të japim më të mirën nga vetja”, shtoi Varane.