Erik ten Hag ka deklaruar se Cristiano Ronaldo “ka lënë në lloç” ekipin, gjatë kohës sa ishin së bashku te Manchester Unitedi. Holandezi Ten Hag gjithashtu ka theksuar se premtimet e bëra nga pronarët e Manchester Unitedit nuk u realizuan dhe kjo çoi në shkarkimin e tij nga klubi në tetor të vitit 2024.
Superylli portugez, Ronaldo, u kthye për një periudhë të dytë tek Unitedi në gusht të vitit 2021. Ai ishte tashmë pjesë e skuadrës kur Ten Hag u emërua pasues i Ole Gunnar Solskjearit në vitin 2022.
Megjithatë, marrëdhënia mes të dyve u përkeqësua shpejt. Ronaldo refuzoi të hynte në lojë si zëvendësues gjatë një fitoreje ndaj Tottenhamit në tetor të atij viti, kurse më pas kritikoi publikisht klubin në një intervistë televizive.
Kontrata e sulmuesit u ndërpre me marrëveshje të dyanshme muajin pasues.
“Ai e zhgënjeu ekipin dhe më zhgënjeu edhe mua, pasi kishim bërë plane duke llogaritur në të”, tha Ten Hag në një intervistë për “The Athletic”.
Pjesë nga intervista kanë publikuar shumica e mediumeve angleze.
“Ai është një nga më të mirët në historinë e futbollit. E kam respektuar shumë. Por në atë kohë, si trajner, duhej të merrja një vendim racional dhe të mbaja lojtarët që vlerësoja”, ka shtuar Ten Hag.
Ten Hag pretendon se Ronaldo nuk e përfundoi vrapimin e plotë që u ishte kërkuar lojtarëve pasi kishin humbur 4:0 nga Brentfordi, në fillim të periudhës së tij në krye të ekipit.
“E vura përballë këtij fakti. Shpesh i thosha: Ronnie, të gjithë duan të punojnë për ty, të të vendosin në pozitën e duhur, por nëse nuk arrin të futesh vetë në zonën e rreptësisë, nuk mund të shënosh”.
Ten Hag u shkarkua vetëm pesë muaj pasi fitoi Kupën FA dhe firmosi vazhdimin e kontratës. Por ai pretendon se nga klubi u dhanë premtime që nuk u mbajtën. Më pas Scott McTominay u shit te Napoli pa pëlqimin e Ten Hagut.
“Më premtuan besnikëri, më premtuan mbështetje, më premtuan komunikim që të jemi në të njëjtën linjë. Diskutuam për çështjet në fjalë. Por premtimet nuk i mbajtën. Unë thashë: ‘Scott McTominay nuk shitet’. E në fund e shitën. Natyrisht, isha shumë i zhgënjyer”, ka thënë holandezi.