Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Van Nistelrooy do të jetë trajner i PSV-së prej sezonit të ri

Skuadra e PSV Eindhovenit ka gjetur trajnerin për sezonin e ri. Në krye të ekipit do të jetë ish-sulmuesi i mirënjohur i Holandës, Ruud van Nistelrooy.

Nistelrooy në këtë post do ta zëvendësojë trajnerin aktual Roger Schmidt, që e ka paralajmëruar largimin nga ekipi, ndërsa lajmi është konfirmuar në faqen zyrtare të PSV-së.

Van Nistelrooy ka qenë ndihmëstrajner te PSV Eindhoveni prej qershorit të vitit të shkuar, ndërsa ka udhëhequr edhe ekipin U18. Ai gjithashtu ishte edhe ndihmëstrajner te Përfaqësuesja e Holandës.

Van Nistelrooy me PSV Eindhovenin ka firmosur kontratë deri në verën e vitit 2025 dhe ka thënë se me padurim pret t’ia fillojë punës si trajner i parë.

“Kam punuar me vite të tëra për këtë moment. Jam krenar dhe i bindur që jam gati për ta udhëhequr ekipin tim. PSV-ja po shkon në një drejtim të ri prej verës dhe unë dua të jem pjesë e këtij drejtimi. Kështu që, jam plotësisht gati për të qenë trajner i këtij ekipi”, është shprehur 45-vjeçari.

Si futbollist aktiv, Nistelrooy ka pasur karrierë fantastike. Ai ka luajtur për ekipet si Den Bosch, Heerenveen, PSV Eindhoven, Manchester United, Real Madrid, Hamburg e Malaga.

Ka gjithashtu edhe 35 gola të shënuar në 70 paraqitje me Përfaqësuesen e Holandës.

Artikuj të ngjashëm