Shqipëria mori një barazim zhgënjyes përballë Islandës në minutën e fundit. Në një prononcim pas ndeshjes, sulmuesi Myrto Uzuni, nuk e fshehu dëshpërimin për këtë përballje.
Ai iu dha të drejtë tifozëve të cilët pas përfundimit të ndeshjes fërshëllyen lojtarët.
“E nisëm lojën shumë mirë. Ata ngelën me 10 lojtarë shumë herët, shënuam gol shumë herët. Duhet të shënonim golin e dytë sa më shpejt. Nuk e di çfarë është ky fat që na ndjek në minutat e fundit. E kishim detyrim të fitonim për fanellën, për tifozët. Por ky fat i keq vazhdon të na ndjekë. Normal që nuk ndihemi mirë. Ata kanë të drejtë, sepse lanë punët e tyre dhe erdhën për ne. Ne duhet të shënonim të dytin dhe t’i kënaqnim ata. Ishim me 11 lojtarë. Kur doli lojtari jonë që ngelëm me 10 lojtarë. Më shumë përqendrim në minutat e fundit do të na bënte ta evitonim golin”, u shpreh Uzuni.
Me barazimin e sotëm, Shqipëria mbeti pa fitore në këtë edicion të Ligës së Kombeve.