Tentativa e Tony Bellewit që të bëhet kampion i unifikuar i kategorisë kruzer ka përfunduar me humbje nga Oleksandr Usyk. Humbja për titujt në kategorinë kruzer në WBA, WBC, IBF dhe WBO çoi në pensionimin e boksierit të njohur.
Ukrainasi mbeti kampion bote duke e nokautuar në raundin e tetë britanikun Bellew në Manchester Arena.
Bellew menjëherë pas meçit u pensionua, ndërsa 31-vjeçari Usyk vazhdoi rekordin në 16 meçe të gjitha të përfunduara me fitore.
“Provova më të mirën. Dhashë gjithçka që pata”, tha Bellew pas meçit. “Duartrokiteni sepse ai është luftëtar i jashtëzakonshëm... një nga më të mirët. Ai më mposhti mirë e qartë, s’kam arsyetime. Është boksier i mahnitshëm. Kampion i mrekullueshëm, e më i miri me të cilin kam ndarë një ring... thjesht më i mirë se unë”.
Usyk, që u bë boksieri i parë që mban të gjithë titujt në të njëjtën kohë, nuk e ka fshehur faktin se dëshiron të përballet me kampionin e peshave të rënda, britanik Anthony Joshua.
“Sjellja e Usykut në kategorinë e rëndë do t’i sjellë shpirt të ri divizionit. Ai definitivisht duhet të luftojë me Anthony Joshuan”, ka thënë promoteri i ukrainasit, Alex Krassyuk, raporton “Reuters”.
Joshua mban titujt WBA, IBF, WBO dhe IBO në kategorinë e rëndë.