Erik ten Hag ende nuk ka vendosur nëse sulmuesi brazilian, Antony, do të debutojë te Manchester Unitedi kundër liderit të Premier Leagues, Arsenalit.
Ndeshja ndërmjet Unitedit dhe Arsenalit luhet të dielën nga ora 17:30 dhe e mbyll xhiron e gjashtë në elitën e futbollit anglez.
Skuadra e Ten Hagut shpenzoi 82 milionë funte për ta transferuar Antonyn nga Ajaxi, të enjten.
Por, trajneri i Unitedit refuzoi ta bëjë të ditur nëse 22-vjeçari do të luajë këtë vikend në “Old Trafford”.
Unitedi pësoi disfata nga Brightoni dhe Brentfordi në fillim të sezonit, por më pas i fitoi tri ndeshje rresht, të fundit të enjten 1:0 ndaj Leicesterit.
Edhe
Vëmendja te derbi Arsenal – Manchester United
Trajneri Ten Hag nuk bëri ndryshime në ekip në dy ndeshjet e fundit të Unitedit, duke e lënë në bankën rezervë Casemiron, bashkë me Cristiano Ronaldon.
Ronaldo natyrisht mbetet shumë i rrezikshëm për kundërshtarët. Ndaj Arsenalit ka shënuar shtatë gola në tetë ballafaqimet e kaluara në të gjitha garat. Në total ka nëntë gola të shënuar ndaj Arsenalit.
Casemiro ende nuk ka luajtur si startues qëkur iu bashkua Unitedit nga Real Madridi. Mbetet të shihet nëse bashkëkombësi i tij, Antony, do të jetë në të njëjtën situatë.
Fituesi i pesë ndeshjeve të para, Arsenali, mbetet i vetmi ekip në fillim të sezonit të Premier Leagues me bilanc të përkryer.
Unitedi nuk ka pranuar gol ndaj Arsenalit vetëm një herë në 16 takimet e fundit në Premier League. Barazimi pa gola erdhi në janar të vitit 2021 në “Emirates”.
Arsenali do të ketë punë të vështirë nëse merren për bazë statistikat.
“Revolveristët” e kanë fituar vetëm një ndeshje në 15 udhëtimet e fundit në “Old Trafford”. Ajo fitore kishte ardhur në nëntor të vitit 2020, me rezultatin 1:0.
Xhiroja e gjashtë do të hapet me derbin e zjarrtë ndërmjet Evertonit dhe Liverpoolit.
Liverpooli është favorit pasi është mposhtur vetëm një herë në 23 ndeshjet e fundit në Premier League ndaj Evertonit. Kishte pësuar disfatë 2:0 në “Anfield” në shkurt të vitit 2021.
Edhe
United – Arsenal, derbi i xhiros së parë në Premier League
Në udhëtim tek Evertoni, Liverpooli nuk është mposhtur që nga viti 2010. Ndeshja që ka dhuruar 22 kartonë të kuq në periudhën e Premier Leagues, do të nisë në orën 13:30, të shtunën.
City, që është kampion në fuqi i Premier Leagues, të shtunën nga ora 18:30 luan në udhëtim tek Aston Villa.