Manchester Unitedi ka arritur fitore më të vështirë se që pritej ndaj Sheffield Unitedit në Premier League.
“Djajtë e Kuq” fituan 2:1 të shtunën në ndeshjen e vlefshme për xhiron e nëntë të sezonit.
Scott Mctominay ia dha epërsinë fillestare ekipit të Erik ten Hagut. Ai shënoi në minutën e 28-të. Rezultati u barazua vetëm gjashtë minuta më pas nëpërmjet Oliver McBurniet që konkretizoi penalltinë.
Mbrojtësi Diogo Dalot realizoi supergol në minutën e 77-të për t’ia siguruar fitoren Manchester Unitedit.
Pas nëntë ndeshjesh, skuadra e Ten Hagut ka 15 pikë të tubuara dhe është e pozicionuar në vendin e tetë.
Në anën tjetër, Sheffieldi mbetet i fundit me vetëm një pikë të tubuar deri tash.