Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Unitedi konfirmon mungesën e Cavanit te Uruguai

Manchester Unitedi konfirmoi të hënën se Edinson Cavani nuk do të jetë pjesë e Përfaqësueses së Uruguait për ndeshjet kualifikuese të Botërorit “Katari 2022” muajin e ardhshëm, kundër Perusë, Bolivisë dhe Ekuadorit pasi ftesa e tij u tërhoq nga Federata e Futbollit të Uruguait.

Premier League njoftoi javën e kaluar se klubet angleze nuk do të lëshojnë lojtarë për ndeshjet ndërkombëtare të luajtura në vendet që janë në listën e kuqe të qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar për udhëtime.

Lojtarët që udhëtojnë në vendet e listës së kuqe në detyrë ndërkombëtare, e kanë të obliguar që kur të kthehen t’i nënshtrohet karantinimit prej dhjetë ditëve në një hotel të caktuar nga qeveria.

“Sulmuesi i Manchester Unitedit, Edinson Cavani do të qëndrojë në Angli gjatë pushimit ndërkombëtar, pasi thirrja e tij për Uruguajin u tërhoq”, thuhej në njoftimin e Unitedit.

Një ndërlikim tjetër për ndërkombëtarët e Amerikës së Jugut është se raundi i tretë i kualifikimeve do të zhvillohet të enjten, më 9 shtator, vetëm disa orë para se të supozohet se shumë prej tyre do të jenë në aksion për klubet e tyre.

CONMEBOL, Konfederata e Futbollit të Amerikës së Jugut, po përpiqet të kompensojë kohën e humbur pasi kualifikimet e Kupës së Botës në muajin mars u shtynë për shkak të pandemisë koronavirus.

Pavarësisht qëndrimit të bashkuar të klubeve të Premier League javën e kaluar, Aston Villa i ka lejuar dy lojtarët argjentinas Emiliano Martinez dhe Emiliano Buendia të udhëtojnë sipas marrëveshjes që ata të mos luajnë në ndeshjen e tretë kualifikuese të Argjentinës kundër Bolivisë.

Cristian Romero dhe Giovani Lo Celso të Tottenham u fotografuan gjithashtu në mediat sociale duke udhëtuar me Martinezin dhe Buendian.

Ndërkohë, treshja braziliane e Liverpoolit, portieri Alisson, mesfushori Fabinho e sulmuesi Roberto Firmino, si dhe Mohamed Salah i Egjiptit nuk do të udhëtojnë për të luajtur në ndeshjet eliminatore të Botërorit për muajin shtator.

Artikuj të ngjashëm