Sport

Union Berlini kërkon Bardhin

Mesfushori Enis Bardhi pritet që në afatin kalimtar të janarit të largohet nga Trabzonspori për t’u transferuar tek Union Berlini në Bundesligë. Mediumet gjermane kanë shkruar të martën se është trajneri i ri i Union Berlinit, kroati Nenad Bjelica, ai që po insiston në transferimin e Bardhit.

Bjelica javë më parë është emëruar trajner i ekipit gjerman, ndërsa me Bardhin ka punuar te skuadra e Trabzonsporit. Bardhi është i gatshëm të largohet nga Turqia për ta vazhduar karrierën në Gjermani, pasi nuk është i kënaqur me minutazhën e tij te Trabzonspori.

Këtë edicion, Bardhi ka vetëm 11 paraqitje në kampionat, ndërsa ka shënuar dy gola dhe ka bërë po aq asistime.

28-vjeçari vitin e shkuar iu bashkua Trabzonsporit, ekip me të cilin ka kontratë deri në vitin 2025 me opsionin e rinovimit edhe për një vit tjetër. Bardhi që është reprezentues i Maqedonisë së Veriut, ka luajtur edhe për Levanten e Ujpestin.