Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Ujkanit pritet të mos i vazhdohet kontrata te Torino

Portieri i Përfaqësueses së Kosovës, Samir Ujkani pritet të mos jetë pjesë e skuadrës së Torinos për sezonin e ardhshëm.

Mediumet italiane kanë shkruar të mërkurën se drejtuesit e Torinos nuk po mendojnë t’ia ofrojnë Ujkanit vazhdimin e kontratës që i skadon në fund të muajit të ardhshëm. Kështu që, Ujkani këtë verë sipas të gjitha gjasave do të mbetet lojtar i lirë dhe në kërkim të një ekipi të ri.

Ujkani është pjesë e Torinos prej vitit 2019 kur iu bashkua nga Rizespori si lojtar i lirë dhe te skuadra italiane kryesisht ka qenë zgjedhja e tretë për portën. Në sezonin e fundit, Ujkani ka regjistruar vetëm një paraqitje, barazimin pa gola të Torinos ndaj Beneventos në xhiron e fundit të Serie A. Portieri 32-vjeçar karrierë ka bërë edhe te Cremonese, Genoa, Pisa, Latina, Palermo, Chievo e Novara.