Sport

Ujkani kthehet në Itali, firmos me Torinon

Portieri i Përfaqësueses së Kosovës, Samir Ujkani, do ta vazhdojë karrierën në Itali.

Ai të hënën është transferuar te Torino, ekip që bën gara në Serie A.

Portieri me përvojë ka firmosur kontratë njëvjeçare.

Ujkani te Torino është transferuar si lojtar i lirë, pasi ka shkëputur kontratën me ekipin nga Turqia, Rizespor.

Te Torino, Ujkani do të jetë portieri i dytë, pasi i pari është Salvatore Sirigu.

Portieri 31-vjeçar, në verën e vitit të shkuar iu bashkua Rizesporit, por gjatë edicionit 2018/19 regjistroi vetëm katër ndeshje në kuadër të Kupës së Turqisë dhe një në kampionat.

Ai nuk bënte pjesë në planet e klubit dhe u dërgua të stërvitet me ekipin e dytë.

Ujkani e njeh mirë kampionatin italian, pasi pjesën më të madhe të karrierës e ka kaluar në këtë shtet.

Ai në vitin 2007 ishte larguar prej të rinjve të Anderlechtit për të vazhduar karrierën te Palermo, kurse ka qenë edhe pjesë e ekipeve si Novara, Chievo, Genoa, Latina, Pisa e Cremonese.

Ujkani ka luajtur në Serie A dhe B, kurse ka edhe 20 paraqitje me Kosovën.