UEFA ka publikuar vendimin për ndeshjen Rumani – Kosovë dhe ka konfirmuar gjobën prej 52 mijë eurosh për Federatën e Futbollit të Rumanisë (FRF). Po ashtu, është konfirmuar që Rumania ndeshjen e ardhshme si vendas, do ta luajë me dyer të mbyllura.
Në fakt, UEFA e ka gjobitur Rumaninë me 40 mijë euro dhe një ndeshje pa praninë e shikuesve për shkak të ndezjes së fishekzjarrëve, hedhjes së gjësendeve, transmetimin e mesazheve të natyrës politike (pankarta dhe thirrjet “Kosova është Serbi” dhe për sjelljen raciste të përkrahësve të saj.
Ndërkohë, gjobë prej 12 mijë eurosh i është shqiptuar për bllokimin e rrugëve publike. Dueli mes Rumanisë dhe Kosovës, i zhvilluar në Bukuresht në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2024”, u ndërpre për 50-të minuta në pjesën e parë për shkak të shpalosjes së mesazhit “Kosova është Serbi”. Megjithatë, ndeshja më pas rifilloi dhe Rumania triumfoi me rezultatin 2:0.