UEFA ka thënë se po bisedon me Qeverinë e Hungarisë për kushtet e hyrjes në Hungari për ndeshjen e Superkupës së Evropës, që do të luhet këtë muaj në Budapest, pas vendimit që u mor nga qeveria për mbyllje të kufijve.
Bayern Muencheni do të përballet me Sevillan në Budapest më 24 shtator. Kjo ndeshje ishte planifikuar të jetë e para në kuadër të garave të UEFA-s që do të luhej me shikues, që nga përhapja e koronavirusit të ri.
Mirëpo, Hungaria javën e kaluar ka njoftuar se nga 1 shtatori do t’i mbyllë kufijtë për të huajt, pas rritjes së rasteve me koronavirus.
“UEFA po punon afër me Federatën e Futbollit të Hungarisë dhe qeverinë e Hungarisë për të implementuar masat për të siguruar shëndetin e gjithë atyre që do të jenë prezent në ndeshje. Kërkesat për hyrje në Hungari për grupet e ndryshme (lojtarët, zyrtarët, partnerët, stafi, mediat dhe tifozët), janë pjesë e këtyre diskutimeve. UEFA nuk do të rrezikoj sigurinë e njerëzve dhe detaje të mëtutjeshme do të komunikohen së shpejti”, thuhet në një përgjigje të UEFA-s dhënë Reutersit.
Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, ka thënë se tifozët do të lejohen të futen në vend me dy teste negative për koronavirus.
Edhe
Bayerni i gatshëm ta tregojë forcën përballë Sevillas
Ai tha se tifozët do të dërgohen direkt në stadium dhe menjëherë pas ndeshjes do të kthehen në aeroport. Do të ketë matje të temperaturave.
UEFA ka njoftuar javën e kaluar se tifozët do të mbushin 30 për qind të kapacitetit të stadiumit, që zë mbi 67 mijë vetë.