Sport

UEFA konfirmon pezullimin e ndeshjeve të qershorit për përfaqësuese dhe vazhdon pezullimin e Championsit e Ligës së Evropës

Foto: UEFA

UEFA ka konfirmuar pezullimin e gjitha ndeshjeve të përfaqësueseve të parapara të luhen në qershor të vitit 2020 deri në një njoftim të mëtutjeshëm, shkaku i koronavirusit.

Këtu përfshihen ndeshjet e plejofit për Kampionatin Evropian të vitit të ardhshëm, në mesin e tyre edhe ajo mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, si dhe ndeshjet kualifikuese për Evropianin 2021 në futboll të femrave. Po ashtu janë shtyer edhe ndeshjet e Ligës së Kampionëve e Ligës së Evropës në afat të pacaktuar. 

Më herët është raportuar se ndeshja mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës do të luhet më 3 shtator në Shkup.

Gjitha ndeshjet e garave të UEFA-s, përfshirë edhe miqësoret e përfaqësueseve, mbesin të pezulluara deri në një datë tjetër.

Turneu final i Evropianit U-17 i paraparë të luhet në maj është anuluar, siç është anuluar edhe turneu final i Evropianit U-19 të femrave në korrik të këtij viti. Ndërkohë Evropiani U-17 i femrave i paraparë të luhet në maj është shtyrë për një datë tjetër, pasi ky turne llogaritet edhe si kualifikues për Botërorin U-17.

Vendimi është marrë gjatë një videokonference mes presidentit të UEFA-s, Aleksander Çeferin dhe përfaqësuesve të 55 federatave anëtare të UEFA-s. Është krijuar hapsirë për përfundimin e kampionateve nacionale, ndërsa Championsi e Liga e Evropës mund të vazhdojë deri në gusht. Madje nuk përjashtohet mundësia e zhvillimit të finales së Championsit pa shikues, siç është raportuar në mediume. Për ligat UEFA po shpreson që të përfundojnë deri më 3 gusht.