Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

UEFA vazhdon të shtyjë ligat nacionale për të përfunduar edicionin

UEFA të martën ka dhënë rekomandime të forta për federatat nacionale që të përpiqen të përfundojnë stinorin aktual, kur ndeshjet e futbollit të vazhdojnë pas ndalesës për shkak të pandemisë Covid – 19.

Futbolli thuajse në gjithë Evropën është i pezulluar për shkak të pandemisë, ndërsa Euro 2020 është shtyrë për vitin e ardhshëm. Janë shtyrë edhe ndeshje të ekipeve përfaqësuese, ndërsa pezull ka mbetur edhe futbolli evropian i klubeve.

Konfederata Evropiane e Futbollit e ka bërë të qartë se dëshiron që të gjitha vendet anëtare të saj të kompletojnë edicionin vendorë dhe jo ta anulojnë atë. Po ashtu UEFA shpreson të përfundoj Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Evropës.

Të gjitha 55 federatat nacionale kanë marrë pjesë në një video-konferencë që e ka mbajtur UEFA të martën. Nuk pritet ndonjë vendim deri të enjten kur takohet Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s. Por UEFA nuk ka dhënë shenja se do të heq dorë nga synimi për të përfunduar edicionin, raporton Reuters.

“Ka pasur një rekomandim të fortë që të përfundohen ligat elitare dhe kupat nacionale, por disa raste të veçanta do të dëgjohen pasi të ketë udhëzime në lidhje me pjesëmarrjen në garat evropiane, nëse një ligë anulohet”, thuhet në një komunikatë të UEFA-s.

Ka pasur raportime që UEFA po shikon për të luajtur finalet e Championsit dhe të Ligës së Evropës në javën e fundit të gushtit, por të martën është thënë se disa opsione të kalendarit janë prezantuar për ndeshjet e ekipeve nacionale dhe të klubeve.