Dy zyrtarë nga Federata Evropiane e Futbollit (UEFA) Nicolas Marshall dhe Joschim Brachert kanë inspektuar sot punimet që janë duke u bërë në stadiumin e qytetit të Prishtinës.
Bashkë me zyrtarët e UEFA-s punimet i kanë inspektuar edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, si dhe kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri.
Gashi me këtë rast tha se punimet janë duke shkuar ashtu siç ishin të parapara dhe pritet që ky stadium të pranohet si stadium në kategorinë e katërt.
“Ka qenë një përkushtim i imi që nga marrja e udhëheqjes së Ministrisë, për të finalizuar këtë projekt, gjithmonë sipas kërkesës së standardeve të UEFA-s. Kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm me kryetarin Vokrri në mënyrë që të arrijmë përmbylljen e këtij projekti. Është projekt që është financuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, veçanërisht në fazën e fundit dhe po shihet që është bërë një punë e mrekullueshme që ta kthejmë këtë stadium në stadiumet e kategorisë së katërt”, tha Gashi.
Ndërsa kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri tha se shumë shpejtë do të bëhet testimi i barit, i cili duhet të bëhet në një ndeshje jozyrtare, transmeton KP.
“Sipas informatave që i kemi nga Ministria dhe Departamenti i Sportit duhet të testohet bari në ndeshje jo zyrtare, pastaj në funksion të përfundimit të punimeve ne do të organizojmë një ndeshje inauguruese, mirëpo ajo mbetet pas testimit të barit, i cili do të bëhet me ndeshje jo zyrtare dhe pa publik. Pastaj do të bisedojmë për detajet dhe datën ekzakte nëse mund të organizohet një ndeshje miqësore, nëse punimet kryhen me dinamikën e paraparë dhe nëse kryhet me kohë siç thamë në fillim të qershorit”, deklaroi Vokrri.
Edhe
Megjithatë, Prishtinës i lejohet të luajë në “Fadil Vokrri”
I pyetur për pronarin e stadiumit të qytetit, Vokrri u përgjigj shumë shkurt duke treguar se stadiumi i qytetit e ka një pronar dhe ai është Kuvendi Komunal i Prishtinës.
Vlen të theksohet se punimet për rinovimin e stadiumit të Prishtinës filluan në vitin 2016 dhe afati për përfundimin e punimeve ka qenë gushti i vitit 2017, por tani thuhet se punimet do të kryhen në qershor të këtij viti.