Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

UEFA dorëzohet, Osasuna rikthehet në Ligën e Konferencës

Skuadra nga La Liga, Osasuna, ka fituar betejën ndaj UEFA-s dhe është kthyer në garat e Ligës së Konferencës, pasi e dërgoi çështjen e saj në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS).

Klubi spanjoll të martën ka bërë të ditur se i është anuluar përjashtimi nga Liga e Konferencës, pas arritjes së marrëveshjes me UEFA-n, e cila u nënshkrua edhe nga CAS-i.

Konfederata Evropiane e Futbollit (UEFA) para tri javësh e kishte përjashtuar Osasunan nga niveli i tretë i garave të saj për shkak se ish-zyrtarë të klubit spanjoll ishin përfshirë në kurdisje të ndeshjeve para një dekade. Osasuna kundërshtoi vendimin e UEFA-s duke insistuar se menaxhmenti aktual nuk ishte i përfshirë në manipulimin e ndeshjeve, i cili sipas rregullave të UEFA-s për garat e klubeve kërkon përjashtim për një vit, nëse kurdisja ka ndodhur që nga viti 2007 kur UEFA i përditësoi statutet e saj ligjore.

Klubi nga Pamplona dërgoi ankesë në CAS për të shpëtuar kualifikimin e tij të parë në garat e UEFA-s pas 17-të vjetësh, të cilin e arriti pasi edicionin e fundit në La Liga e përfundoi në pozitën e shtatë në tabelë. Në njoftimin e lëshuar të martën, Osasuna tha se “pëlqimi” për t’u kthyer këtë edicion në Ligën e Konferencës u sigurua nga UEFA dhe u ratifikua nga CAS-i.

“Osasuna do të luajë në Ligën e Konferencës në edicionin 2023/24, pasi sot ka përfunduar procedura në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS). Me provat e reja të ofruara nga klubi, UEFA ka arritur në përfundim se Osasuna ka qenë viktimë e ngjarjeve të ndodhura gati një dekadë më parë. Rrjedhimisht UEFA e konsideron Osasunën të kualifikuar për të marrë pjesë në këtë edicion në garat e Ligës së Konferencës”, thuhej ndër të tjera në njoftimin e klubit spanjoll.

Edhe UEFA e përjashton nga Liga e Konferencës, Osasuna me përgjigje interesante Sport UEFA e përjashton nga Liga e Konferencës, Osasuna me përgjigje interesante

Ndërkohë, UEFA nëpërmjet një deklarate tha se Osasuna kishte ofruar dëshmi të reja, të cilat nuk ishte në gjendje t'i depozitonte në një fazë të hershme.

“UEFA e rishikoi materialin dhe doli në përfundimin se Osasuna nuk ishte përfshirë në aktivitete të trukimit të ndeshjeve”, tha organi evropian i futbollit.

Bazuar në këtë, Osasuna do të jetë e pranishme në shortin e plejofit të Ligës së Konferencës që do të tërhiqet më 7 gusht. Ndeshjet e plejofit do të zhvillohen më 24 dhe 31 gusht, ndërsa nëse Osasuna avancon në fazën e grupeve të kësaj gare atëherë do të shpërblehet me 6 milionë euro nga UEFA.

Si rezultat i këtij vendimi, Athletic Bilbao nuk do të paraqitet në plejofin e Ligës së Konferencës për shkak se e zëvendësoi Osasunën kur u përjashtua nga UEFA. Bilbao edicionin e fundit u rendit në pozitën e tetë.

Edhe Refuzohet ankesa e Osasunas Futboll Refuzohet ankesa e Osasunas

Osasuna ende përballet me një hetim disiplinor të veçantë, por më pak serioz nga UEFA, për dërgimin e çështjes në një gjykatë lokale jashtë sistemit gjyqësor të futbollit. Këtë e ka konfirmuar edhe Osasuna duke bërë me dije se do ta pranoj çdo dënim të UEFA-s, por i cili nuk do të jetë pengesë për të luajtur në Ligën e Konferencës.

“UEFA ka hapur procedurë disiplinore ndaj Osasunës, e cila nuk do të pengojë pjesëmarrjen e klubit në Ligën e Konferencës. Klubi do të pranojë dënimin nga UEFA, ndaj të cilit nuk do të apelojë”, vazhdoi njoftimi i Osasunas.