Pasi u largua nga Chelsea, Thomas Tuchel thuhet se është i interesuar për pozitën e përzgjedhësit të Anglisë, nëse ajo mbetet e lirë pas Kupës së Botës në Katar.
Lajmi është bërë i ditur të enjten nga mediumi “The Telegraph”.
Tucheli, sipas këtij mediumi, ka refuzuar dy oferta në Angli dhe një tjetër në Spanjë, sepse është duke e pritur “rastin e duhur”.
Përzgjedhësi aktual i “Tre Luanëve”, Gareth Southgate, ka thënë se dëshiron ta udhëheqë ekipin edhe në Kampionatin Evropian 2024 në Gjermani. Mediat britanike, po ashtu kanë shkruar të enjten se ai mund të shkarkohet që në fillim të Botërorit, nëse mungojnë rezultatet.
Southgate e udhëhoqi Anglinë deri në finalen e Evropianit vitin e kaluar, kur u mposht nga Italia. Por, ka marrë shumë kritika së fundmi.